Ministrja Rizvanolli merr pjesë në përurimin e punimeve të tri ndërtesave sociale në Skenderaj

Skenderaj, 30.07.2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të punimeve të tri ndërtesave shumë-banesore sociale në Komunën e Skenderajt.

Përurimi i punimeve është realizuar në kuadër të projektit “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”, ku me një investim prej rreth 693,000 euro, janë realizuar punimet që përfshijnë izolimin e jashtëm, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, termoizolimin e kulmeve, instalimin e sistemit të ri të ngrohjes, vendosjen e interfonisë dhe detektorëve për mbrojtje kundër zjarrit, ku kursimi i energjisë elektrike do të arrijë nga 75 % deri në 85 %.

Projekti implementohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencё tё Energjisë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes grantit nga Bashkimi Evropian (me 90%) dhe pjesëmarrjen komunale me 10%.

Ministrja Rizvanolli theksoi se pas përfundimit të punimeve në këto tri ndërtesa sociale,
përfitojnë 100 familje, nga të cilat janë 30 gra – nënavetushqyese, përfitues të asistencës social edhe familje të dëshmorëve, të cilët do të kenë kushte më të mira për fëmijët dhe familjet e tyre, dhe një jetë më të dinjitetshme, por edhe më të sigurt.

“Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë në nivel të vendit, ku tash më është duke u punuar edhe në 12 komuna të tjera në renovimin e 28 ndërtesave sociale, me një vlerë totale prej 6 milionë euro”, theksoi Ministrja Rizvanolli.

Ajo po ashtu shtoi se është shumë e lumtur që pas tri vitesh, prej kur ka filluar dizajnimi i këtij programi, ku ishte kërkesa e Qeverisë ndaj Bashkimit Evropian, ndaj të cilës kërkesë Bashkimi Evropian reagoi pozitivisht në mënyrë shumë të shpejtë dhe tani po shihen rezultatet.

Në ceremoni veç Ministres Rizvanolli kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, të cilët u shprehen të lumtur për përfundimin e punimeve dhe për krijimin e kushteve më të mira të jetesës për banorët e këtyre ndërtesave.

Në kuadër të reformës për efiçiencën e energjisë, Qeveria e Kosovës ka mbështetur deri tani:
• 3,000 familje me izolim të shtëpive,
• Mbi 40,000 familje me pajisje eficiente dhe panele solare,
• 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale, janë renovuar për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës për qindra mijëra qytetarë.

Këto renovime përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës, të edukimit dhe të shërbimeve shëndetësore për mijëra qytetarë.