Kryeministri Kurti e ministrja Rizvanolli vizitojnë ndërtesat sociale në Mitrovicë, ku po investohet në efiçencë të energjisë
Mitrovicë, 29.04. 2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan dy ndërtesat sociale në Shipol dhe Desi të Mitrovicës, ku po investohet në rritjen e efiçencës së energjisë.
Në këto ndërtesa po kryhet izolimi i çative dhe mureve të jashtme, ndërrimi i dyerve dhe dritareve të vjetruara, instalimi i sistemeve të ngrohjes efikase, vendosja e interfonisë dhe implementimi i masave për mbrojtje nga zjarri.
Këto dy ndërtesa sociale, të ndërtuara në vitet 2003 dhe 2005, strehojnë 39 familje ose gjithsej 173 banorë dhe për shumë vite kanë qenë pa izolim të duhur, pa dritare efikase dhe pa sisteme adekuate të ngrohjes.
Falë një investimi prej 381,622 euro, këto banesa po transformohen, dhe punimet pritet të përfundojnë deri në vjeshtë.
Në Shipol, ndërtesa sociale e ndërtuar në vitin 2003 do të përmirësojë kushtet e jetesës për 18 familje, përfshirë 4 familje të udhëhequra nga gra.
Ndërsa në Desi, ndërtesa e vitit 2005 do t’u shërbejë 21 familjeve, mes tyre 4 të udhëhequra nga gra.
Ky projekt është pjesë e një investimi më të madh, prej mbi 6 milionë euro, që përfshin renovimin e 25 ndërtesave sociale në gjithë Kosovën. Financimi mbulohet 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian, ndërsa komunat kontribuojnë me 10%. Projekti zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Përveç ndërtesave sociale, në Mitrovicë janë renovuar edhe 9 objekte publike, duke përfshirë:
- 4 shkolla,
- 1 çerdhe,
- 2 ambulanta në Bajgorë dhe Bare,
- si dhe Qendrën e Kulturës.
Këto renovime përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës, të edukimit dhe të shërbimeve shëndetësore për mijëra qytetarë.