Qeveria e Kosovës po investon 3.8 milionë euro në 13 objekte përmes skemës kthyese për komunat
Prishtinë, 30.12.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), kanë nënshkruar sot marrëveshje me katër komuna, të cilat do të përfitojnë për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në 13 objekte publike.
Ministrja Rizvanolli tha se për këtë projekt, Qeveria e Kosovës po investon 3.8 milionë euro në 13 objekte përmes skemës kthyese për komuna të implementuara nga FKEE, teksa këto projekte do t’i shtohen 125 objekteve të cilat tashmë janë renovuar në 21 komuna.
Komunat në të cilat do të ketë investime sipas marrëveshjes janë: Podujeva, Lipjani, Shtimja dhe Vitia.
“Në këtë skemë Qeveria e financon dhe Fondi e zbaton projektin, ndërsa komunat përgjatë 13-15 viteve të ardhshme i kthejnë tek Fondi shumën e parave të cilën e kursejnë nga faturat e energjisë. Pra në këtë mënyrë, nxënësve dhe mësuesve u ofrojmë kushte më të mira, pa kosto shtesë për buxhetin e komunave”, ka thënë ministrja Rizvanolli.
Në Podujevë do të renovohen shkollat “Ali Ajeti”, “Hamit Sejdiu”, “Shefki Kuleta”, dhe “Isa Boletini”;
Në Lipjan do renovohet shkolla “Shtjefën Gjeqovi”;
Në Shtime do renovohen shkollat “Hasan Prishtina”, “Emin Duraku”, dhe Shkolla e Mesme Profesionale;
Në Viti do renovohet Qendra për Punë, si dhe shkollat “28 Nëntori”, “Nijazi Rexhepi” , “Mirali Sejdiu” dhe “Dëshmorët e Lubishtës”.
Ndërsa, gjatë muajit të kaluar janë nënshkruar marrëveshjet edhe për 4 ndërtesa tjera, në komunën e Istogut dhe atë të Suharekës.