Ministria e Ekonomisë dhe Komuna e Gjilanit nënshkruajnë Marrëveshjen për realizimin e Projektit “Qyteti i Mençur”

Prishtinë, 21.05.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetari Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë nënshkruar Marrëveshjen e mirëkuptimit, për realizimin e Projektit “Pilotimi i konceptit të Smart City (Neutral Host)”, në Komunën e Gjilanit.

Projekti “Pilotimi i konceptit të “Smart City (Neutral Host)” do të jetë bashkëfinancim i Ministrisë së Ekonomisë dhe Komunës së Gjilanit dhe ka vlerën financiare 550,000,00 euro.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se duke adoptuar teknologji të reja të bazuara në Internet of Things (IoT), po mundësojnë zgjidhje të ndryshme për shfrytëzimin efiçient të energjisë elektrike, sistemin digjital për menaxhimin e trafikut, mbeturinave dhe ofrimin e shërbimeve digjitale komunale.

“Suksesi i këtij projekti do të shërbejë si model për komunat e tjera në Kosovë, për të ofruar zgjidhje të mençura për qytetarët e tyre përmes teknologjive të avancuara”, ka thënë Rizvanolli.

Projekti i “Qytetit të Mençur” i mundëson komunës që të menaxhojë më mirë resurset dhe të ofrojë shërbime më të mira, duke u bazuar në të dhënat të cilat vijnë nga senzorët e ndryshëm dhe në përfundimet që vijnë nga interpretimi i tyre.

Teknologjia e “Qytetit të Mençur” është një mënyrë e lehtë dhe e shpejtë që komunat të ofrojnë shërbime të qëndrueshme dhe të nevojshme për të përcjellë në mënyrë efektive zhvillimin urban, por edhe atë rural.

Po ashtu, teknologjitë ekzistuese me mundësi të zgjeruara, sigurojnë një infrastrukturë të mençur të menaxhimit të sensorëve dhe kontrollit të tyre, e cila lejon qytetet të mbledhin dhe analizojnë të dhënat nga shumë pajisje të lidhura në një mënyrë të efektshme, në mënyrë që autoritetet të marrin vendime të duhura rreth shërbimeve që duhet të ofrojnë.