Inaugurohen masat e efiçiencës së energjisë në SHFMU “Migjeni” në Drenas
Drenas, 03.04.2024 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku ka marrë pjesë në inaugurimin e masave të efiçiencës së energjisë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Migjeni”, në Baicë të Drenasit.
Investimet në këtë shkollë janë bërë në kuadër të projekteve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) më mbështetje financiare të Bashkimit Evropian (BE) dhe Bankës Botërore(BB).
Zëvendësministri Mjeku duke folur për vështirësitë më të cilat janë përballur nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle tha se rëndësia e investimit në këto masa nuk ka impakt vetëm në uljen e faturave të energjisë, por edhe në përmirësimin e kushteve të nxënësve me çka do të ndikojë edhe në cilësinë e mësimit.
Ai shtoi se efiçienca e energjisë është prioritet për Qeverinë e Kosovës gjë që reflektohet në Strategjinë e Energjisë 2023-2031 për krijimin e burimeve të reja të energjisë së ripërtëritshme dhe potencoi se pas përmbylljes me sukses të E-ankandit së shpejti do të hapet edhe ankandi i parë për energji nga era me kapacitet prej 150 MW.
Më një investim prej 187 mijë euro në SHFMU “Migjeni” që ka realizuar Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë më mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore do të kursehet rreth 70% energji.
Investimi në Në SHFMU “Migjeni” përfshin;
- Termoizolimin e jashtëm;
- Zëvendësimin e dritareve jo efikase me të reja PVC;
- Instalimin e dyerve të hyrjes;
- Izolimin e çatisë
- Kalda të re qendrore me pelet;
- Furnizimin dhe instalimin i pajisjeve të reja të ndriçimit LED.
Në inaugurimin e masave të efiçiencës së energjisë të pranishëm ishin: Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, Drejtori Ekzekutiv i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Lundrim Aliu nga Banka Botërore, si dhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.