Ministrja Rizvanolli takoi të rejat që po e kryejnë praktikën në Ministrinë e Ekonomisë
Prishtinë, 09.02.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e shoqëruar nga këshilltaret e kabinetit të saj dhe U.D. Sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë (ME), Leonita Shabani Mullarama, kanë takuar sot 6 vajzat e reja të cilat po e kryejnë praktikën në Ministrinë e Ekonomisë.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se Adelina, Albana, Elita, Fitorja, Gëzimja dhe Jetesa janë ndër 15 të rinjtë që po kryejnë praktikën në Ministrinë e Ekonomisë në kuadër të skemës “Praktikë në Qeveri” të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përmes bashkëpunimit me USAID-in.
“Ishte kënaqësi që së bashku me këshilltaret e kabinetit tim dhe Sekretaren Leonita Shabani Mullarama përgjatë një pushimi kafeje të këmbejmë përvoja e të bisedojmë për kontributin që ato po japin në departamente të ndryshme të ministrisë e planet e tyre të karrierës”, ka pohuar Ministrja Rizvanolli.
Të rinjtë që po e kryejnë praktikën në Ministrinë e Ekonomisë kanë profesione të ndryshme, si; Inxhinieri Mekanike dhe Kompjuterike, Banka Financa dhe Kontabilitet, Marketing dhe Menaxhim Biznesi, Inxhinieri e Mjedisit, Administrim Biznesi, Menaxhim i Burimeve Njerëzore, Matematikë Financiare, Arkitekturë, Menaxhment dhe Informatikë, Kimi Analitike dhe Mjedisore, Biznes dhe Financa dhe Menaxhim i Pasurive të Paluajtshme si dhe Sistemet e Energjisë të Ripërtëritshme dhe Infrastrukturës.