Mbahet Konferenca e Parë e Përdoruesve të Rrjetit Kosovar për Hulumtim dhe Edukim
Prishtinë, 16.05.2023 – Në ambientet e Universitetit të Prishtinës është mbajtur Konferenca e Parë e Përdoruesve të Rrjetit Kosovar për Hulumtim dhe Edukim (KREN), e cila do t’i shërbejë komunitetit për hulumtim, edukim si dhe përdoruesve të KREN për rrjetëzim, informim dhe zhvillim.
Qëllimi kryesor i kësaj konference ndër të tjera është ngritja dhe zhvillimi i komunitetit të hulumtimit dhe edukimit në Kosovë, i cili qëllim është bërë i mundur falë një pune shumë e madhe e përbashkët nga Ministria e Ekonomisë, konkretisht projektit Ekonomia Digjitale e Kosovës (KODE), KREN dhe nga Banka Botërore.
KREN ka arritur të centralizojë komunitetin e studentëve, studiuesve dhe stafit akademik në Kosovë, duke e lidhur Kosovën me Shoqatën pan-evropiane, GÉANT.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli pohoi se rrjeti KREN përmes shtrirjes së infrastrukturës fikse, është njëri prej kontribuuesve të zhvillimeve në arsim ku përmes funksionimit efektiv të tij, synojmë që të nxisim inovacionin dhe të zhvillojmë një infrastrukturë me shërbime të avancuara për institucionet e arsimit të lartë dhe të shkollave të mesme e fillore në të ardhmen e afërt; si dhe të fuqizojmë universitete në Kosovë nga aspekti i ofrimit të mundësive teknologjike në arsim dhe hulumtim.
Ajo në fund tha se, së bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, janë duke punuar për sigurimin e qasjes në internet brezgjerë dhe instalimin e rrjeteve të brendshme për shkollat e mesme dhe fillore në Kosovë, dhe ndërlidhjen e secilës së tyre në KREN.
Ndërsa, ndër shërbimet e KREN-it për komunitetin e saj, janë:
- Qasje në infrastrukturë si shërbim – qendra e të dhënave – për hapësirë në lidhje me përdorimin e makinave virtale;
- Resurseve të ndryshme procesorike që ju nevojiten profesorëve e hulumtuesve;
- Qasje në platformën Moodle;
- Qasje në internet të dedikuar me shpejtësi e siguri të lartë brenda dhe jashtë kampuseve të universiteteve;
- Ruajtje të të dhënave,;
- Licenca Office 365 dhe të ngjashme.
Në Konferencë kanë marrë pjesë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve arsimore e shkencore në vend dhe rajon.