KRU Gjakova dhe KU Radoniqi-Dukagjini, dy ndërmarrje me performancë të mirë

Prishtinë, 17.10.2022 – Zëvendësministri Getoar Mjeku dhe zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë kanë marrë pjesë në mbledhjet e aksionarit në dy ndërmarrjet e ujërave në Gjakovë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” dhe Kompania e Ujitjes “Radoniqi-Dukagjini”.

Nën mbikëqyrjen e bordit të përkohshëm dhe tani bordit të ri të drejtorëve, KRU Gjakova ka zgjeruar shtrirjen e shërbimeve dhe ka arkëtuar kënaqshëm pagesat e faturuara, duke mbyllur vitin 2021 me fitim operativ. Ndërmarrja tani po planifikon hapat e radhës për të përmirësuar qeverisjen.

Radoniqi-Dukagjini, si kompani e ujitjes, ka mbyllur vitin 2021 me fitim rekord dhe kënaqshmëri të theksuar të konsumatorëve, që përfshijnë fermerët në rrethet e Gjakovës, Rahovecit e Prizrenit. Në mbledhjen e aksionarit, u fol veçanërisht për rëndësinë që sistemet e ujitjes kanë për zhvillimin e bujqësisë si dhe për sfidat me të cilat përballet sektori.

Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë mbajtjen e mbledhjeve të aksionarit në ndërmarrjet publike qendrore, duke u përqendruar në përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimeve.