ME ndan mirënjohje me rastin e pensionimit të kolegut, Hysni Komoni

Prishtinë, 15.09.2022 – Në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë (ME) është organizuar ceremonia me rastin e pensionimit të kolegut shumëvjeçar të ministrisë, njërit ndër themeluesit e Inspektoratit të Energjisë,  Hysni Komoni.

Ministrja e ME-së, Artane Rizvanolli së bashku me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme Leonita Shabani – Mullarama në emër të Ministrisë së Ekonomisë dhe gjithë kolegëve, e falënderoi dhe shprehi mirënjohjen më të thellë për z. Komoni, për punën e bërë për më shumë se një dekadë në Ministri, duke e cilësuar si shembullin më unik të një udhëheqësi i cili me përkushtim, zell dhe punë profesionale ka arritur të tregoj se si arrihen rezultate të larta në punë.

Po ashtu, të gjithë kolegët e uruan z. Komonin për korrektësinë, bashkëpunimin e frytshëm dhe kolegjialitetin e treguar gjatë shërbimit të tij në Ministri.

Me këtë rast, z. Komonit iu nda mirënjohja për punën shumëvjeçare dhe kontributin profesional të dhënë në Inspektoratin e Energjisë.

Z. Komoni të ketë jetë të gjatë me shëndet të plotë dhe ta gëzojë pensionimin së bashku me familje!