Nënshkruhet marrëveshja e Kompaktit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Uashington DC, 28 korrik 2022 – Në hapësirat e Kongresit Amerikan, është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollarë.
Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Presidentja Vjosa Osmani – Sadriu, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është mirëpritur në hapësirat e Kongresit Amerikan nga delegacioni amerikan i udhëhequr nga kongresisti Bill Keating, njëherit Kryetar i Nënkomitetit HFAC për Evropë, Energji, Mjedis dhe Kibernetikë.
Delegacioni i MCC-së është udhëhequr nga Kryeshefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright e cila ka nënshkruar marrëveshjen, krahas Ministres Rizvanolli e cila ka nënshkruar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nën mbikëqyrjen e nivelit të lartë politik të të dy vendeve, të përfaqësuara nga Presidentja dhe Kryeministri i vendit, dhe nga kongresistët e Nënkomitetit për Evropë, Energji, Mjedis dhe Kibernetikë, të kryesuar nga z.Keating.
Kryeministri Kurti theksoi se ky do të jetë investimi më i madh dhe më inovativ i sektorit të energjisë në Kosovë deri më sot.
Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do t’i kontribuojë sigurisë sonë energjetike, si dhe transformimit socio-ekonomik. Sot, nuk jemi vetëm duke shënuar një bashkëpunim historik mbi qëllimet e përbashkëta në sektorin e energjisë, por gjithashtu jemi duke festuar marëdhëniet e ngushta dhe vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, tha Kryeministri Kurti.
Nënshkrimi pason konfirmimin me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së, si dhe negocimin e suksesshëm në maj të këtij viti. Nënshkrimi i ka hapur rrugën përshpejtimit të procesit të zbatimit të projektit, gjë për cilën ka dakordim të plotë nga delegacioni amerikan.
Ministrja Rizvanolli u ka shprehur mirënjohje ekipeve të Qeverisë së Kosovës dhe të MCC-së për punën e madhe të bërë për të ardhur deri këtu. Ajo u zotua për vazhdim të bashkëpunimit me përkushtim për të realizuar programin në kohë sa më të shkurtër të mundshme.
Në kohë kritike për sektorin e energjisë së Kosovës, jam më se krenare që në emër të Republikës së Kosovës të nënshkruaj një marrëveshje kaq të rëndësishme për sektorin e energjisë dhe ekonominë e vendit, tha Ministrja Rizvanolli.
Programi Kompakt do të përfshijë tri projekte:
1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë prej 340 MWh,
2. Zhvillimin e fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe
3. Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Investimet e Programit Kompakt do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës, dhe shënojnë një nga bashkëpunimet më të rëndësishme zhvillimore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.