Certifikohen 59 auditorë të energjisë

 

Prishtinë, 17.12.2021- Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, sot u kanë ndarë certifikatat auditorëve të energjisë të certifikuar për auditimin e energjisë në ndërtesa dhe ndriçimin publik.

 

Trajnimi është realizuar nga Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) që vepron në kuadër të Universitetit të Prishtinës (UP), e cila në këtë fazë ka trajnuar 59 auditorë të energjisë. Për shkak të gjendjes pandemike, në ceremoninë e organizuar në Ministrinë e Ekonomisë, certifikatat në mënyrë solemne iu ndanë vetëm një numri të kufizuar të auditorëve.

 

Gjatë kësaj ceremonie, zëvendësministri Arifaj tha se është e rëndësishme, që këso lloj trajnimesh të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe shtoi se është me të vërtetë kënaqësi të shohësh investimet që po bëhen në trajnimet dhe përgatitjen e kandidatëve për auditimin e energjisë në Kosovë, për ndërtesa dhe ndriçim publik.

 

Arifaj pohoi se Ministria e Ekonomisë prioritet e ka efiçiencën e energjisë. “Efiçienca e energjisë, përfshirë edhe ngrohja qendrore, po trajtohen me prioritet edhe përgjatë draftimit të Strategjisë së Energjisë. Jemi të lumtur që sapo ta finalizojmë draftin e parë e cila parashihet të jetë në Janar, ta ndajmë atë edhe me juve”, tha zëvendësministri Arifaj.

 

Nga ana e tij, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahitaj duke falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në trajnimin dhe përgatitjen e certifikuesve të energjisë, pasi siç tha ai, ka një rëndësi shumë të madhe zhvillimi i një sistemi të qëndrueshëm të trajnimit të auditorëve.

 

Sahitaj Vlerësoi se UP ka kapacitete intelektuale e profesionale për ofrimin e trajnimeve për auditorë të energjisë.

 

Auditorët e certifikuar në këtë grup të trajnimit janë nga fushat si: arkitektura, ndërtimtaria, inxhinieria elektrike dhe mekanike. Ky është grupi i dytë i auditorëve të certifikuar, i cili çon në 114 numrin e auditorëve të certifikuar. Procesi i trajnimit të auditorëve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

Ndryshe, Auditor i Energjisë është personi fizik apo juridik i licencuar për kryerjen e auditimeve të energjisë.