Ministrja Rizvanolli ka pritur në takim ministrin Bekteshi

Prishtinë, 10.12.2021 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli me bashkëpunëtorë ka pritur në takim Ministrin e Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi bashkë me përfaqësuesit e kabinetit të tij.

Gjatë takimit, ministrat kanë diskutuar rreth bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e energjisë si dhe në përgjithësi rreth krizës energjetike e cila ka kapluar shtetet e Evropës dhe Azisë, ku u fol edhe për mënyrën për të tejkaluar atë me ndikim sa më të ulët në tarifa për konsumatorët dhe ekonominë ishte pikë e takimit të sotëm.

Gatishmërinë për të thelluar dhe konkretizuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve e kanë shprehur të dy ministrat ku ndër të tjera është diskutuar edhe tregu i energjisë i të dy vendeve nga e cila do të përfitonin qytetarët në të dyja anët e kufirit, sidomos sa i përket stabilitetit të furnizimit me energji elektrike.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të KEK-ut dhe ESM-së, dy kompanitë publike të cilat janë prodhuesit kyç të energjisë.

Të dyja palët u pajtuan që të vazhdojnë takimet edhe në nivel teknik për të gjetur zgjidhje të përbashkët për zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të energjisë.