Ministrja Rizvanolli merr pjesë në mbledhjen e përbashkët të Qeverive

Elbasan, 26 nëntor, 2021 – Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të mbajtur sot në Elbasan.

Gjatë vizitës, Ministrja Rizvanolli dhe homologja e saj nga Shqipëria, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku janë dakorduar për një vizitë gjatë muajit në vijim për të diskutuar më detajisht rreth bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sektorit të energjisë, veçanërisht balancimit të sistemit të energjisë elektrike si dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike, dy pikat kyçe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve.

Bashkëpunimi mes dy shteteve është edhe një pikë e rëndësishme e Strategjisë të Energjisë të Kosovës 2022 – 2031, ku ndër të tjera parashihet edhe integrimi në tregun rajonal, veçanërisht me atë të Shqipërisë. Një treg i përbashkët mes dy vendeve do të lehtësonte blerjen e kapaciteteve balancuese të energjisë, që do ta bënte më të lehtë për të dy vendet ruajtjen e ekuilibrit të nevojshëm ndërmjet kërkesës dhe ofertës.