Zëvendësministri Arifaj u takua me delegacionin gjerman

Prishtinë, 08.11.2021 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj dhe shefi i kabinetit të Ministres, Agim Mazreku, kanë takuar delegacionin gjerman, Volker J. Oel dhe Michaela Brinkhaus nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, si dhe Vera Baumann nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e dy sektorëve të rëndësishme, atë të energjisë dhe të Teknologjisë së Informacionit (TIK).

Delegacioni gjerman u informua se Kosova paralelisht po punon në Planin Kombëtar të Klimës dhe Energjisë. Po ashtu u pohua se sigurimi i energjisë është prioritet, duke pasur parasysh gjendjen e tanishme të çmimeve të energjisë në tregjet evropiane, ndërsa u konstatua se çmimet e energjisë në Kosovë janë të qëndrueshme, pasi Kosova nuk mbështetet shumë tek importi i energjisë.  

Zëvendësministri Arifi tha se është duke u punuar në filtrat e Termocentralit  “Kosova B”, por se kanë edhe një plan ambicioz për energjinë e ripërtëritshme dhe kjo do të reflektohet në Strategjinë Kombëtare të Energjisë.

Po ashtu delegacioni gjerman u informua për reformat institucionale për zbatimin e programeve të efiçiencës së energjisë.
 
Kurse, sa i përket fushës së TIK-ut u tha se në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar, Kosova ka nevojë të madhe për mbështetjen e sektorit privat, për të rritur eksportin e shërbimeve kudo që është e mundur dhe u konstatua se ngjarjet si B2B dhe Workshop-et me kompani të huaja, janë të mirëseardhura për sektorin TIK-ut.

Arifi tha se mbështetja e sektorit privat për transformimin digjital të të bërit biznes, është një tjetër fushë ku Kosova ka nevojë për ekspertizë nga vendet tjera.