ME pranon pajisjen e Stacionit Mobil Monitorues

 

Prishtinë, 28.0.2021 – Ministria e Ekonomisë (ME), ka bërë pranimin e pajisjes së Stacionit Mobil Monitorues me të gjitha pajisjet përcjellëse si: pranues, antenat për gjetjen e drejtimit të ardhjes së sinjaleve dhe elementet tjera harduerike dhe softuerike.

 

E para e ME-së, Ministrja Rizvanolli u shpreh se një ndër vendimet e para të marra si Qeveri në prill të këtij viti, ishte trajtimi i Sistemit Nacional për Monitorimin e Spektrit (SNMS), si projekt me qëllim të mbrojtjes kombëtare.

 

Pas pranimit, Ministrja Rizvanolli ka vizituar nga afër dhe ka mësuar për detajet e Stacionit Mobil Monitorues Frekuencor, së bashku me përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) duke përfshirë kryetarin e bordit, drejtorin e Departamentit për Monitorimin e Spektrit Frekuencor, përfaqësuesit e kompanisë zbatuese (TCI International), përfaqësuesit e projektit si dhe përfaqësuesit e Departamentit të Postë –Telekomunikacionit dhe Teknologjisë Informative e Komunikuese (DPTTIK) nga Ministria e Ekonomisë.

 

Stacioni mobil monitorues do të mundësojë monitorimin e brezeve frekuencore nga 20MHz deri 8.5GHz, të autorizuara nga ARKEP-i në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

 

Po ashtu, me ndihmën e këtij sistemi do të mundësohet identifikimi i interferencave që mund të shfaqen nga përdorimi i brezeve frekuencore nga përdoruesit e autorizuar si dhe identifikimin e shfrytëzuesve të paautorizuar të këtyre brezeve.​

 

Projekti SNMS financohet nga Banka Botërore si pjesë e Projektit për Ekonominë Dixhitale të Kosovës që zbatohet nga Ministria e Ekonomisë, kurse Sistemi SNMS është në zbatim e sipër për nevojat e ARKEP.