Kosova dhe Austria përforcojnë marrëdhëniet ekonomike

Prishtinë, 14.09.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin kanë pritur delegacionin ekonomik austriak.

Gjatë këtij takimi u diskutua për vazhdimësinë e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Austrisë si dhe mundësitë e angazhimit ekonomik.

Ndër të tjera në këtë takim është folur për prioritetet e qeverisë për zhvillimin e Kosovës, ku  kryeministri potencoi disa nga faktorët që i ka Kosova me rëndësi të veçantë për investitorët dhe bizneset, si: siguria e investimeve, respektivisht sundimi i ligjit, fuqia punëtore si dhe lokacioni strategjik me infrastrukturë të zhvilluar.

“Shpresojmë të rrisim vëllimin e investimeve austriake, duke punuar ngushtë së bashku me dhomën austriake të biznesit këtu në Kosovë. Sidomos në dhënien e shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, përpunimin e drurit si dhe me potencialin e madh të pashfrytëzuar që ka Kosova në fushën e turizmit, mund të krijohen sinergji të reja,” tha kryeministri Kurti.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e delegacionit ekonomik austriak u shprehën të kënaqur me avancimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, që është investitori i katërt më i madh në vend.