Rizvanolli: KEK-ut më shumë se kurrë i duhet një udhëheqje profesionale e me integritet

 

Prishtinë, 18.08.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me Kryeministrin Albin Kurti kanë vizituar Korporata Energjetike e Kosovës Sh.a/ KEK Sh.a, gjegjësisht Termocentralin Kosova A, Divizionin e Qymyrit PLATO dhe Termocetnralin Kosova B.

 

Si ndërmarrja kryesore energjetike në vend, KEK-u bart peshën e furnizimit me energji elektrike. Viti i kaluar ishte vit i suksesshëm për këtë ndërmarrje të rëndësishme meqë kishte shënuar përmirësim të performancës së prodhimit të energjisë elektrike me mbi 6 mijë GWh.

 

Kurse këtë vit, që në gjashtë mujorin e parë është tejkaluar plani i eksploatimit të thëngjillit me ç’rast janë nxjerrë 4.3 milionë tonë thëngjill. Furnizimi i pandërprerë dhe kualitativ i energjisë elektrike është parakusht i zhvillimit ekonomik në vend.

 

KEK-u gjendet përballë sfidave ambientale, duke përfshirë këtu nevojën për dekarbonizim në nivel global dhe nevojën për të vepruar në mënyrë të qëndrueshme duke shfrytëzuar resurset tona në përputhje me qëllimin për ta mbrojtur ambientin.

 

Prandaj, investimet për zvogëlimin e ndotjes së shkaktuar nga termocentralet janë të domosdoshme dhe KEK-u duhet të jetë proaktiv e inovativ në mënyrë që të arrihet diversifikimi i prodhimit të energjisë duke inkuadruar energjinë e ripërtëritshme.

 

Këto sfida paraqesin potencial për transformim pozitiv të tij dhe tranzicion të drejtë energjetik për vendin. Për këtë duhet që të garantohet menaxhim optimal i termocentraleve dhe mihjeve, dhe për të siguruar këtë Qeveria do t’i ofrojë mbështetje të plotë KEK-ut.

 

Ministrja Rizvanolli gjatë vizitës ka theksuar që KEK-ut më shumë se kurrë tani i duhet një udhëheqje profesionale e me integritet, dhe një e atillë që ka vizion reformues, por edhe aftësi për të planifikuar dhe zbatuar atë vizion.

 

Prandaj, ftojmë të gjithë profesionistët e interesuar të aplikojnë për pozitën e kryeshefit ekzekutiv te KEK-ut në konkursin publik i cili vazhdon të jetë i hapur deri me 23 gusht të këtij viti.

 

Linku për konkursin: https://kek-energy.com/kek/thirrje-ftesa/