Ministrja Rizvanolli ka raportuar para Komisionit Parlamentar

 

Prishtinë, 13.07.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka raportuar para Komisionit Parlamentar në lidhje me prezantimin e Planit të Punës së Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2021, si dhe prezantimin për miratim të dy projektligjeve, “Projektligji për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike” dhe “Projektligji për Masat për Uljen e Kostos së Shtrirjes së Rrjeteve të Komunikimeve Elektronike të Shpejtësisë së Lartë”.

 

Me këtë rast, Ministrja Rizvanolli ka njoftuar anëtarët e komisionit për punën e deritanishme të Ministrisë së Ekonomisë, duke filluar me analizën e brendshme të të gjitha sektorëve të Ministrisë që përfshijnë atë të Energjisë, TIK-ut, Minierave si dhe Ndërmarrjeve Publike. për të arritur, vizionin e qartë se ku duhet të arrijë Ministria deri në fund të këtij viti dhe për të caktuar hapat konkret pasardhës.

 

Ministrja ka elaboruar për bashkëpunimin e ngushtë me departamentet e Ministrisë, në mënyrë që të mos ndërprehen procese të mira që tashmë jane filluar dhe për t’iu dhënë proceseve tjera kahjen e duhur në përputhshmëri me objektivat e planit strategjik dhe operacional si dhe planit qeveritar.

 

Sa i përket sektorit të Energjisë, Ministrja ka elaboruar për punën drejt informimit të strategjisë së tranzicionit të drejtë energjetik në Kosovë përmes punëtorisë dy ditore, ku janë përfshirë të gjithë akterët kryesorë të sektorit, me diskutime profesionale e në nivel të eskpertëve mbi tema kyçe për vendimmarrje.

 

Tutje, në Komision Ministrja ka prezantuar një sërë udhëzimesh administrative të paraparë për këtë vit, e të cilat do t’i shërbejnë sektorit të energjisë, përkatësisht forcimit të sektorit privat dhe të amvisërisë.

 

Sa i përket sektorit të TIK-ut, Ministrja ka treguar për fokusimin në zhvillim të kapaciteteve përmes trajnimeve për të rinjtë dhe lidhjen e tyre me mundësi të punëve online, dhe ndërtimin e Rrjetit Nacional për Hulumtim dhe Edukim që do të shërbejë të gjitha nivelet e edukimit dhe arsimimit në Kosovë.

 

Sektori i Minierave, gjithashtu është prezantuar para Komisionit me punën drejt avancimit të kornizës ligjore dhe politikë-bërjes si dhe promovimit dhe identifikimit të potencialit të resurseve që kemi.

 

Ministrja ka deklaruar që ME-ja ka filluar skanimin e gjendes së Ndërmarrjeve Publike, duke përfshirë këtu gjendjen financiare, investimet e planifikuara, nevojat urgjente dhe gjendjen e përgjithshme.