Miratohet “Projektligji për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike” si dhe emërohen Bordet e Përkohshme të dy NP-ve

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë në mbledhjen e 17-të të Qeverisë së Kosovës, është miratuar “Projektligji për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike”.

Projektligji ka për qëllim rregullimin e mënyrës së identifikimit dhe skemave të identifikimit elektronik; kushteve të përdorimit të nënshkrimit elektronik, vulës elektronike, vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre; shërbimeve të transmetimit që ju rekomandohen transaksioneve ligjore, procedurave gjyqësore dhe procedurave të tjera; kushteve të lëshimit dhe përdorimit të certifikatave të kualifikuara për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqes së internetit; shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike.

Ky projektligj zbatohet për skemat e identifikimit elektronik dhe për ofruesit e shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike.

Në këtë mbledhjes janë aprovuar gjithashtu edhe vendimet për emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina” si dhe vendimi për Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “ Ibër Lepenci”.

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve i emëruar në Ndërmarrjen Qendrore KRU “Prishtina” Sh.A., shërben në cilësinë e Bordit të Drejtorëve sipas nenit 43 të ligjit bazik të riformuluar me nenin 22 të Ligjit Nr. 04/1-111 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 03/L-087 për ndërmarrje publike apo deri në përzgjedhjen e Bordit të përhershëm.

Ndërsa Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve i emëruar në Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenc” Sh.A., shërben në cilësinë e Bordit të Drejtorëve sipas nenit 43 të ligjit bazik të riformuluar me nenin 22 të Ligjit Nr. 04/1-111 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 03/L-087 për ndërmarrje publike apo deri në përzgjedhjen e Bordit të Përhershëm.