Takimi Ministror i Ballkanit Perëndimor për fushën e TIK-ut, nga 1 korriku nuk do të ketë tarifa shtesë të roamingut

Prishtinë, 26.06.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në takimin Ministror të Ballkanit Perëndimor për fushën e TIK-ut, të organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal të mbajtur në Podgoricë të Malit të Zi, në format online.

 

Në këtë takim është diskutuar rruga drejt përgatitjeve për një udhërrëfyes konkret, të parashikueshëm dhe me afat kohor të caktuar për uljen e ndryshimeve të roamingut mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

 

Në takim jane diskutuar perspektiva rajonale për agjenda dixhitale, projekte të dixhitalizimit në linjë me Planin e Investimit Ekonomik, si dhe prospektet për përshpejtim të integrimit në politika digjitale të Bashkimit Evropian.

 

Ministrja Rizvanolli ka thënë që qëllimi i Qeverisë së Kosovës është jo vetëm ta mundësojë që konsumatorët të përdorin shërbimet, por edhe të rrisin përfshirjen e tyre aktive përmes të qasjes në shërbime, në mënyrë efikase dhe me çmim të përballueshëm. Ajo ka shtuar që përkundër sfidave me të cilat jemi përballur gjatë pandemisë COVID-19, Ministria e Ekonomisë është e gatshme t’i implementojë të gjitha pikat e përfshira në marrëveshje të roamingut.

 

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se me aprovimin e Rregullores nga ARKEP-i dhe gatishmërisë nga ana e operatorëve mobilë, nga 1 korriku nuk do të ketë tarifa shtesë të roamingut në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

 

Po ashtu Ministrja Rizvanolli e ka theksuar rëndësinë e uljes së tarifave të roamingut mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evorpian, dhe ka inkurajuar BE-në dhe RCC-in të lehtësojnë këtë proces.