Ministrja Rizvanolli merr pjesë në takimin B2B në Gjakovë

Prishtinë, 17.06.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë sot në takimin ndërbiznesor dhe ndërsektorial B2B, në kuadër të projektit “Konkurrueshmëria e Sektorit Kosovar të TIK-ut në Gjakovë.

Ky takim ka bashkuar përfaqësues nga sektori i TIK-ut me përfaqësues nga industria e tekstilit dhe ajo e agrikulturës, për të eksploruar mundësitë e tyre të përbashkëta të të bërit biznes, partneritetit dhe bashkëpunimit në drejtim të digjitalizimit, inovacionit dhe rritjes së eksporteve.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Ambasadori i BE-së për Kosovë, Tomáš Szunyog, udhëheqësi i Ekipit të ICT for Kosovo’s Growth, Grigoris Kontzoglou, si dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Gjatë fjalimi të saj, Ministrja Rizvanolli ka potencuar rëndësinë e madhe të sektorit të TIK-ut, për shkak të potencialit të madh dhe rritjes që ka vit pas viti, duke shtuar që Ministria e Ekonomisë si prioritet kryesor e ka industrinë e TIK-ut dhe bërjen e Kosovës oazë digjitale, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në atë ndërkombëtar.

Më tutje, Ministrja Rizvanolli ka shtuar që sektorët si ai i tekstilit, agrikulturës, mobilierisë, turizmit, gastronomisë etj., vetëm përmes digjitalizimit mund të jenë konkurruese, të përmirësojnë produktet, dhe shërbimet në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, prandaj, digjitalizimi i sektorëve mbetet domosdoshmëri dhe sfidë, por edhe prioritet i qeverisë.