Hapet Forumi Rajonal “Statusi i punësimit të vajzave dhe grave në Shqipëri e Kosovë”

 

Prishtinë, 14.10.2020 – Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Bakija-Deva së bashku me Jenny Stenberg Sørvold, zëvendësshefe e Misionit Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë në Prishtinë dhe Dajna Sorensen, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë e Qeverisë se Shqipërisë, kanë bërë hapjen e Forumit Rajonal dy ditor me temën “Statusi i punësimit të vajzave dhe grave në Shqipëri e Kosovë”.

 

Zëvendësministrja Bakija-Deva tha se barazia gjinore është një e drejtë themelore dhe faktor i rëndësishëm për rritje ekonomike, zhvillim dhe stabilitet dhe siç tha ajo barazia gjinore është një parim fondamental në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 

“Përkushtimi për barazi gjinore thekson domosdoshmërinë për zhvillimin dhe zbatimin e politikave, përmes strategjive dhe programeve, kornizës ligjore, dhe ofrimin e të mirave dhe shërbimeve për të arritur qëllimin e përcaktuar për barazi gjinore”, tha ajo.

 

Po ashtu, Bakija-Deva tha se legjislacioni në Kosovë ofron një bazë të mirë për inkurajimin dhe mbështetjen e pjesëmarrjes së gruas në procesin e punës, por edhe në pozita vendimmarrëse. “Kushtetuta e Republikës së Kosovës , akti më i lartë juridik dhe politik i vendit, përveç se në gjuhën dhe strukturën e saj ka një balancë gjinore, ajo respekton dhe promovon parimet e barazisë gjinore, që janë të pranuara edhe ndërkombëtarisht (Neni 71). Për më tepër, Kushtetuta ndalon çdo formë të diskriminimit përfshirë edhe diskriminimin në baza gjinore”, deklaroi Bakija-Deva.

 

Ky forum virtual është organizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) dhe Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D), si dhe është mbështetur nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë. Forumi ka për qëllim të mundësojë shkëmbimin e informacioneve dhe rekomandimeve lidhur me politikat e punësimit në Shqipëri e Kosovë si dhe të iniciojë strategji dhe veprime avokuese në nivel rajonal, të cilat kontribuojnë në rritjen e punësimit të grave.