Ministri Blerim Kuçi priti përfaqësuesit e Zyrës Koordinuese të Agjencisë Austriake për Zhvillim

 

Prishtinë, 01.07.2020 – Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Blerim Kuçi ka pritur sot në takim udhëheqësin e Zyrës Koordinuese të Agjencisë Austriake për Zhvillim në Kosovë (ADA), Dr. Gunther Zimmer dhe Arsim Azirin, menaxher i programeve për zhvillimin ekonomik.

 

Ministri Blerim Kuçi i ka falënderuar përfaqësuesit e Zyrës Koordinuese të Agjencisë Austriake për Zhvillim për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në zhvillimin e saj.

 

Z. Kuçi i informoi z. Zimmer dhe z. Aziri për gjendjen ekonomike në Kosovë, e krijuar si pasojë e pandemisë Covid-19, si dhe për 9 pikat e parapara nga Qeveria e Republikës së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

 

Po ashtu Ministri Kuçi, theksoi se ndihma e ADA-së në këtë kohë të vështirë ekonomike me të cilën po përballet Kosova, është mëse e nevojshme.

 

Përfaqësuesit e ADA-së shprehen gatishmërinë që të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik.

 

Zyra Koordinuese për Bashkëpunim e Agjencisë Austriak për Zhvillim (ADA) fokusin kryesor të saj e ka në zhvillimin rural, ekonomik, mbështetjen e kapaciteteve institucionale në vend, digjitalizim dhe arsim.