MZHE me fokus Zhvillimin e Teknologjisë Informative

Prishtinë, 05.09.2019 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka vizitoi kompaninë në fushën e Teknologjisë Informative (TI) Solaborate ku u prit nga themeluesi i kësaj kompanie, Labinot Bytyqi.

Kreu i MZHE-së, me qëllim përkrahjen e ndërmarrësve me projektet më premtuese në TI u shpreh i gatshëm që të ndihmoj këtë sektor qoftë në aspektin e ngritjes në kapacitete njerëzore qoftë në sjelljen e makinerive të ndryshme në këtë fushë.

Ndër te tjera ministri Lluka tha: “Labinoti sot po investon në pajisje për hulumtim, zhvillim dhe testim, pajisje këto që i duhen për ta bërë kompaninë e tij të suksesshme. Kjo ishte edhe biseda jonë kryesore gjatë vizitës që kisha në zyrat e Solaborate. Si mundet që qeveria të ndihmoj në mënyrë që kompanitë e tilla të lulëzojnë në tregun global? Folëm për asistencë nga ngritja e kapaciteteve njerëzore e deri tek sjellja e makinerive për prodhimin e pllakave elektronike për nevojat e kompanive sikurse Solaborate”.

Ky projekt ka arritur të punësojë rreth 100 ekspertë, programerë, inxhinierë etj. Kjo kompani gjithashtu ka arritur të tërheq kompani me renome botërore që do të investojnë dhjetëra miliona euro në TI.

Lluka shtoi se: “Sektori i Teknologjisë Informative është më premtues se çdo sektor tjetër në vend, jo vetëm për faktin që kemi rini të shëndoshë e të mençur, por gjithashtu për shkak që kompanitë tona në këtë fushë po bëjnë një punë mahnitëse në zhvillimin e projekteve të tilla”.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka në fokus zhvillimin e infrastrukturës dhe shkathtësive në këtë sektor dhe këtë vit kemi filluar me disa projekte të mëdha siç janë TechPark Prishtina, Kosovo Digital Economy, IPA fondet e Bashkimit Evropian për shkathtësi digjitale, qendrat kreative në shkolla të mesme dhe fillore si dhe Qendra për Ekselencë Digjitale në Parkun Inovativ në Prizren.