Mbahet takimi i radhës i Grupit Punues për PKEK

Prishtinë, 10.07.2019 – Në kuadër të angazhimeve për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë (PKEK) 2021-2030, është mbajtur punëtoria – takimi i katërt i Grupit Punues për hartimin e PKEK 2021-2030.

Takimin e hapën bashkë kryesuesit e Grupit Punues për hartimin e PKEK 2021-2030 z. Sabit Gashi, dhe znj. Nezakete Hakaj, të cilët i njoftuan të pranishmit për aktivitetet dhe punën e deritanishme të Grupeve Tematike.

Punëtoria është ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, eksperti z. Nicolas Brizard, i cili është angazhuar në përgatitjen e projeksioneve dhe kërkesave për energji për periudhën 2021-2030, paraqiti punën e tij rreth përgatitjeve të projeksioneve për energji deri në vitin 2030 dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet në përgatitjen e këtyre projeksioneve.

Pjesa e dytë e punëtorisë vazhdoi me paraqitjen e punës së grupeve tematike nga kryesuesit e grupeve dhe u diskutua se si të dinamizohet puna e anëtarëve të grupeve tematike.
U dakordua që deri në takimin e radhës së Grupit të Punës, i cili do të mbahet në shtator, të punohet me intensitet më të shtuar dhe të përfshihen të gjithë anëtarët e grupeve tematike në dhënien e kontributit në hartimin e kapitujve 2 dhe 3 të PKEK, bazuar në kërkesat e Rregullores së Qeverisjes së Unionit të Energjisë 2018/1999.

PKEK 2021-2030, bazohet në rekomandimin e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë të miratuar në janar të vitit 2018 dhe përfshinë 5 dimensione: Siguria e Energjisë, Tregu i Brendshëm i Energjisë, Efiçienca e Energjisë, Dekarbonizimi, Hulumtimi, Inovacioni dhe Konkurrenca.