Hapja e të dhënave ndihmë për biznese

Prishtinë, 20.06.2019 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, morri pjesë në ngjarjen e organizuar nga Open Data Kosova me titullin “Hapja e të Dhënave të Bizneseve dhe Zhvillimi Ekonomik i Kosovës”.

Open Data Kosova ka krijuar platformën “Bizneset e Hapura” ku qëllimi kryesor është të lejohet realizimi i analizave ekonomike për sektorë të ndryshëm dhe aktivitete afaristë, analizimi i trendëve ekonomike përgjatë periudhave të ndryshme kohore. Të dhënat janë në webfaqen www.biznesetehapura.com.

Gjatë fjalimit në këtë ngjarje, z. Lluka tha se hapja e të dhënave përveç transparencës, shërbejnë edhe si ndihmesë për bizneset, akademinë dhe organizatat duke u lehtësuar kryerjen e hulumtimeve dhe analizave të tregut.

“Hapja e të dhënave është një hap shumë i rëndësishëm dhe si të tilla, këto të dhëna duhet të jenë edhe të përdorshme kështu që bizneseve duke iu ofruar informacione për veprimtarinë e tyre dhe të dhëna të tjera të rëndësishme për palët tjera, sigurojnë transparencë por edhe mundësi për hulumtime e analiza të tregut më efikase për vendin tonë. Të dhënat e hapura kontribuojnë shumë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendeve që i përdorin ato. Përmes të dhënave të hapura, bizneset e rrisin efikasitetin e ASproceseve të punës, e për më tepër edhe rritjen e efektivitetit”, tha Lluka.

Po ashtu, ministri Lluka tha se me ndërtimin e softuerëve adekuat do të kishte zhvillim më të hovshëm të shoqërisë sonë.
“Ne si Ministri e shohim mundësinë edhe për bashkëpunim mes sektorit akademik, publik dhe privat për të ndërtuar softuerët adekuat të cilët do të bëjnë të mundshme zhvillim më të hovshëm dhe avancime në të gjitha aspektet e jetës në shoqërinë tonë”, tha ndër të tjerash ai.
Leonora Kusari, menaxhere kryesore e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, tha se hapja e të dhënave ka bërë përditësimin e të dhënave ekzistente.

“Projekti Open Data Kosovo ka qenë një ndihmë shumë e madhe në krijimin e raporteve dhe analizave të BERZH-it për arsye se i ka përditsuar të dhënat të cilat kanë qenë të hapura më herët. Kemi pasur raste që nga agjencitë e të dhënave, informatat për një bëiznes kanë qenë si biznes i vogël ndërsa nga të dhënat e Open Data Kosovo është parë se ky biznes është rritur dhe tani më është korporatë” tha znj. Kusari.

Drejtori ekzekutiv i Odës Eknomike Amerikane të Kosovës, z.Arian Zeka, tha se hapja e të dhënave përveç që duhet të jenë lehtë të përdorueshme ato duhet të arrijnë dy synime, ndihma ndaj Qeverisë dhe qytetarëve të vendit.
Ministri Lluka gjithashtu potencoi se publikimi i informacioneve i hap rrugën qytetarëve që të shohin punën e Qeverisë së Kosovës dhe të adresojnë kritikat e tyre me qëllim për ta përmirësuar punën tonë.