Mbahet takimi i dytë i Grupit Punues për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë 2021-2030

Prishtinë, 29.03.2019 – Është mbajtur takimi i dytë i Grupit Punues për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë (PKEK) 2021-2030. Ky plan bazohet në Rekomandimin e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë të miratuar në janar të vitit 2018, Kosova është Palë Kontraktuese e Komunitetit të Energjisë.

Sipas Rekomandimeve të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, ky plan do të bazohet në 5 dimensione: Siguria e Energjisë, Tregu i Brendshëm i Energjisë, Efiçienca e Energjisë, Dekarbonizimi, Hulumtimi, Inovacioni dhe Konkurrenca.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Financave, Ministria e Inovacionit, Ministria e Integrimit Evropian, ZRRE, KOSTT, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Gjatë takimit bashkë kryesuesi i Grupit Punues z. Sabit Gashi paraqiti informacione për procesin që është duke u zhvilluar në kuadër të Komunitetit të Energjisë lidhur me përcaktimin e caqeve të reja për efiçiencën e energjisë, burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe gazrave serë, si dhe për qëndrimet e institucioneve në lidhje me këtë proces shumë të rëndësishëm të vendosjes së politikave të reja sa i përket energjisë dhe  klimës në kuadër të Komunitetit të Energjisë.

Në takim u diskutua për përbërjen e Grupeve Punuese Tematike sipas dimensioneve të Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe pothuajse të gjashtë Grupet Punuese Tematike u plotësuan me anëtarë nga Institucionet, Ndërmarrjet e Energjisë, ZRRE, Shoqëria Civile dhe Universiteti.

Gjatë këtij takimi po ashtu u diskutua draft Plani i punës i Grupit Punues për hartimin e PKEK 2021-2030 dhe me këtë rast u miratua Plani i punës.

Nga ky takim doli si rekomandim që Grupet Punuese Tematike të fillojnë punën për hartimin PKEK, fillimisht me kapitullin për përshkrimin e gjendjes për secilin dimension dhe të vazhdohet tutje me hartimin e kapitujve të PKEK, sipas planit të punës të miratuar.

Sipas dinamikës së planifikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, planet për energji dhe klimë duhet të draftohen dhe miratohen deri në fund të vitit 2020 nga secila palë kontraktuese, ndërsa drafti i parë i punës i PKEK 2021-2030 planifikohet të hartohet nga Grupi Punues deri në fund të vitit 2019.