Zhvillohet takimi i parë i punës për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë 2021-2030

Prishtinë, 06.12.2018 – Është mbajtur takimi i parë i punës për fillimin e procesit për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë 2021-2030. Ky plan bazohet në Rekomandimin e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë të miratuar në janarin e këtij viti. Kosova është Palë Kontraktuese e Komunitetit të Energjisë.

Në këtë takim pune morën pjesë përfaqësues nga MZHE, ZPS/ZKM, MMPH, MF, MI, MIE, UP, ZRRE, KOSTT, OEK dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Gjatë takim nga përfaqësuesit e MZHE-së dhe MMPH-së u dhanë informacione për procesin që është duke u zhvilluar në kuadër të Komunitetit të Energjisë në lidhje me përcaktimin e caqeve të reja për efiçiencën e energjisë, burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe gazrave serë, si dhe për qëndrimet e këtyre dy institucioneve në lidhje me këtë proces shumë të rëndësishëm të vendosjes së politikave të reja sa i përket energjisë dhe  klimës në kuadër të Komunitetit të Energjisë, bazuar në politikat e BE-së që janë në fazën finale të miratimit.

Sipas Rekomandimeve të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, ky plan do të bazohet në 5 dimensione: Siguria e Energjisë; Tregu i Brendshëm i Energjisë; Efiçienca e Energjisë; Dekarbonizimi; Hulumtimi, Inovacioni dhe Konkurrenca.

Gjithashtu, sipas dinamikës së planifikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, planet për energji dhe klimë duhet të draftohen dhe miratohen deri në fund të vitit 2020 nga secila palë kontraktuese.