Lluka premton më shumë investime në sektorin e ujit

Prishtinë, 09.02.2018 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka, i shoqëruar nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, kanë vizituar sot Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” dhe më pas të shoqëruar nga drejtuesit e kësaj kompanie,  vizituan fabrikën e ujit në fshatin Shkabaj, ku nga afër u njoftuan me punën, sfidat dhe planet e saj.

Ministri Lluka, në takimin që fillimisht pati me strukturat menaxhuese të kompanisë, tha se qëllimi i vizitës ishte të njoftohen me problemet, sfidat dhe planet afatgjate për investime dhe të koordinojnë më mirë punët mes Qeverisë së Kosovës – Komunës së Prishtinës dhe Ujësjellësit ‘Prishtina’.

Humbjet janë 57 për qind e tërë sasisë së ujit që përpunohet dhe jemi duke shikuar format, per një plan, se si t’i zvogëlojmë këto humbje”, tha Lluka, duke shtuar se pjesa më e madhe e humbjeve vjen nga lidhjet ilegale në rrjet dhe mos matja e mirë e orëmatësve.

Gjithashtu, Ministri Lluka tha se me drejtuesit e kësaj kompanie është diskutua edhe për gjetjen e  mundësive për investime, ashtu që Komuna e Fushë Kosovës, të ketë furnzim me ujë 24 orë, meqenëse është e vetmja komunë, që mbulohet nga kjo kompani dhe ende përballet me reduktime.

Në këtë takim u bisedua për fushën e Pajtimit, ku ky park ka mbetur i pa shfrytëzuar dhe me mundësi të krijimit të një parku për qytetarët e kësaj ane.
Ministri Lluka propozoi që ky park të kalojë në pronësi të komunës dhe që të krijohet hapësirë e gjelbër për të gjithë qytetarët, duke respektuar të gjitha format ligjore.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës Selim Pacolli, tha se bashkë me Qeverinë janë duke punuar që të gjithë qytetarët të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë.

Ndërsa, kryeshefi Ekzekutiv i KRU ”Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se janë të kënaqur me furnizimin deri më tani, por se shpreson që edhe më tutje të punohet në mënyrë që të zvogëlohen humbja e ujit.

“Ajo çfarë neve na intereson është që konsumatorët t’i shlyejnë obligimet që i kanë ndaj ujësjellësit dhe të ketë furnizim të mjaftueshëm. Pra hap i yni është që të gjitha kyçjet ilegale të hiqen dhe të mos ketë kyçje ilegale pasi ato na dëmtojnë”.

KUR “Prishtina” ka 532 punëtorë; ka 138 221 konsumatorë dhe shërben mbi 500 000 qytetarë. 97% e konsumatorëve kanë orëmatës; inkasimi është 85 %, kurse 57% e ujit nuk faturohet fare.