Funksionalizimi i tregut rajonal e rrit sigurinë e energjisë

Prishtinë, 14.12.2017 – Funksionalizimi i tregut rajonal të energjisë do të jetë një instrument i fuqishëm për optimizimin e shfrytëzimit të energjisë në forma sa më të mira dhe një gjë e tillë nuk mund të realizohet pa u eliminuar të gjitha problemet, e sidomos ato që kanë të bëjnë me transmisionin, siç është rasti i Kosovës me Serbinë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Këto komente kreu i MZHE-së, i bëri në konferencën e përbashkët për shtyp me Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopač, e cila u mbajt në mbyllje të takimit të Këshillit të 15-të Ministror të Komunitetit të Energjisë që u mbajt sot në Prishtinë.

Ministri tha se Kosova gjatë vitit 2017 e ka pasur presidencën e TKE-së, të cilën e dorëzoi sot te kryesuesja e radhës, Maqedonia. “Në takimin e 15-të të Këshillit Ministror të TKE-së, biseduam për shumë çështjeve,  por fokus ishte energjia e ripërtëritshme dhe zvogëlimin e emetimeve të gazrave dhe për çështjet teknike që ne si pjesë e shteteve anëtare të TKE-së duhet t’i përmbushim në vitet e ardhshme”, tha Lluka.

Ai tha se zotimet e marra do t’i fuqizojnë edhe më tej në interes të ambientit, sigurisë së furnizmit me energji dhe integrimit rajonal sa i përket tregut të energjisë.

“Një çështje që diskutuam ishte edhe problemet që kemi me Serbinë sa i përket transmisionit, të cilat i kemi ngritur edhe në nivel të Sekretariatit të TKE-së, i cili është përgjegjës për të ndihmuar  bisedimet mes dy vendeve, por ndërmjetësues do të jetë edhe Qeveria Gjermane. Kosova ka kryer obligimin e saj duke caktuar ekipin negociator, kurse Serbia ende nuk është përgjigjur dhe ne jemi në pritje të një përgjigje të tillë”, tha Ministri Lluka.

Më këtë rast, Ministri Lluka ka shfrytëzuar rastin të falënderojë Ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, vend i cili tash ka marrë presidencën e TKE-së për vitin 2018, i cili është zotuar se do të na ndihmojë Kosovën në zgjidhjen e këtij problem duke ndihmuar TKE-në për të çuar përpara objektivat që i kemi caktuar vetes.