Lluka: Së shpejti licenca për energji solare

Prishtinë, 02.11.2017 – Shumë shpejt do t’i hapim rrugën licencave për energji solare. Hapi tjetër do të jetë zgjerimi i këtyre licencave përmes ankandit  në mënyrë që të marrim ofertën më të mirë. Janë rreth 100 milionë euro që do të futen për këto projekte”, kështu ka thënë  Ministri i  Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, në Tryezën organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane me temë “Tërheqja e investimeve të huaja direkte”.

Me këtë rast, Ministri Lluka, para të pranishmëve sqaroi planet e ministrisë për furnizimin stabil me energji elektrike, si element tejet i rëndësishëm për zhvillim ekonomik afatgjatë.

Ai vuri theksin edhe mbi nevojën për të përshpejtuar hapat për projektin e ndërtimit të Termocentralit të ri, ku tanimë janë duke u zhvilluar negociatat finale me kompaninë e përzgjedhur.

Ministri Lluka, gjithashtu diskutoi edhe mbi planet e Ministrisë sa i përket energjisë së ripërtëritshme, ku planifikohen investime të ndryshme në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. 

Kreu i MZHE-së tha se shumë shpejt  të interesuarit mund të aplikojnë të marrin licenca për energji solare.“Unë mendoj që shumë shpejt do t’i hapim rrugën licencave për energji solare. Hapi tjetër do të jetë zgjerimi i këtyre licencave përmes ankandit  në mënyrë që të marrim ofertën më të mirë. Janë rreth 100 milionë euro që do të futen për këto projekte”,kë thënë ministri Lluka.

Nga ana tjetër, Arian  Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se përmirësimi i rangimit të Kosovës në raportin e Bankës Botërore të të bërit biznes është për t’u lavdëruar, mirëpo tani është koha që ky përmirësim të reflektohet edhe në rritje të investimeve të huaja direkte.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, tha se Ligji për Investime Strategjike, së shpejti do të funksionalizohet përmes akteve nënligjore, i cili do të krijojë lehtësira të mëdha për tërheqjen e investimeve.

Blerta Qerimi, specialiste e Sektorit Privat në Bankën Botërore, tha se përmirësimi i pozitës së Kosovës në raportin e Bankës Botërore paraqet një lajm të mirë për Kosovën, mirëpo institucionet duhet të punojnë më shumë për integrimin ekonomik të vendit, marrë parasysh nivelin e ulët të investimeve të huaja dhe të eksporteve.