Lluka: Të fokusohemi te investimet e huaja në sektorin e prodhimit

Prishtinë, 01.11.2017 – Duhet të fokusohemi tek investimet e huaja në prodhim, ngase ato jo vetëm që ulin papunësinë në mënyrë direkte, por edhe e zvogëlojnë importin  dhe rrisin eksportin, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka në tryezën “Çështjet që e frenojnë zhvillimin në Kosovë”, të organizuar nga Forum 2015.

Kreu i MZHE-së tha se gjysma e investimeve të huaja në Kosovë rreth 300 milionë euro janë në ndërtimtari dhe patundshmëri,  që nuk mundësojnë punësime të qëndrueshme dhe vetëm 10 për qind të investimeve shkojnë në prodhim, prandaj kjo duhet të ndryshohet dhe duhet të fokusohemi në investime në fushën e prodhimit.

“Kosovë ato kompani që i kemi  të huaja që kanë ardhur përmes projekteve të qeverisë si ndërtimi i autostradave. Këto kompani nuk kanë shumë efekt pozitiv. Efekt pozitiv për mua janë ato që prodhojnë që transferojnë edhe njohuri tek ne”, tha Lluka.

Më tej Ministri tha se ardhja e kompanive të huaja ka edhe efete tjera pozitive siç është bartja e njohurive, duke ditur faktin që programet tona arsimore nuk janë në harmoni me kërkesat e tregut të punës.

Alban Hashani duke prezantuar raportin për ekonomi dhe shëndetësi tha se edhe pse ekonomia e Kosovës viteve të fundit ka pasur rritje sistematike, kjo nuk ka ndikuar në zhvillim të qëndrueshëm, e cila ishte bazuar në dërgesa dhe investime private.

Luan Shllaku nga Forum 2015 tha se në këtë tryezë kanë zgjedhur te flasin për ekonomi, arsim dhe shëndetësi  pasi këta sektorë më të rëndësishëm dhe vital i kemi lënë anash dhe sa herë që shteti nuk kujdeset për këta sektorë, ata gjejnë rrugë alternative për t’u zhvilluar.
 
Besa Shahini, prezantoi raportin për arsimin në Kosovë. Ajo tha se ky sektor është në një krizë të thellë. Sipas saj janë tre faktor që kanë ndikuar në mos zhvillimin e këtij sektori: buxheti i vogël, keq-planifikimi dhe faktori historik.