Lluka vizitoi Jaha Solar, premton masa mbështetëse për prodhuesit vendorë

Prishtinë, 25.10.2017 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka premtuar përkrahje për prodhuesit vendorë, duke iu referuar prodhuesit të paneleve fotovoltaike, Jaha Solar në Fushë Kosovë, të cilin së bashku me bashkëpunëtorë e vizitoi sot.

Ministri Lluka u informua për së afërmi për mënyrën e funksionimit të kësaj fabrike dhe mundësitë e përmirësimit të kushteve për prodhuesit e këtij sektori. “Sot erdhëm për vizitë në fabrikën Jaha Solar që është një shembull i mirë për vendin tonë, një investim gjermano-kosovar që deri më tani ka arritur vlerën deri në 8.5 milionë euro, me mbi 80 punëtorë me një potencial  jashtëzakonisht të madh që të kemi punësim shumë më të madh dhe ndikim pozitiv në industritë e tjera”, tha ministri me këtë rast.

Ai tha se moti nuk është ndier më krenarë për një prodhim vendor si këto panele solare që i ka parë sot, duke i dëshiruar pronarit dhe punëtorëve një punë të suksesshme.

“Jam fascinuar me këtë prodhim. Ne si Qeveri, si Ministri e Zhvillimit Ekonomik do të zotohem se do të bëjmë të pamundurën që të gjitha prodhimet që kanë të bëjnë me energji, me efiçiencë të energjisë, me panele solare që të sigurohemi të kenë përkrahjen karshi importit”, tha Lluka, duke shtuar se personalisht do të angazhohet që këto produkte të kenë përkrahje adekuate.

Kreu i MZHE-së theksoi se problemi kryesor për momentin është se panelet solare nuk kanë asnjë masë mbrojtëse nga importi, ato nga kudo që mund të vijnë këtu dhe ta konkurrojnë prodhuesit vendor. Andaj duhet t’i jepet përparësi prodhuesit vendorë sepse nuk është vetëm investimi, por transferimi i njohurisë për prodhimin e këtyre paneleve është vlera më e madhe që mund të ketë një vend dhe si e tillë duhet të përkrahet nga ana jonë

Pronari i Jaha Solar, Fadil Hoxha tha se është jashtëzakonisht i lumtur se nga Qeveria aktuale kanë gjetur një përkrahje si kurrë më parë dhe shpreson që me këtë qasje do t’i mënjanojnë të gjitha sfidat që u dalin para.
“Unë ju garantoj që këtu çka po del si produkt është premium i klasit më të lartë në gjithë Evropën jo vetëm në Kosovë”, tha ai.

Nga ana e tij, Kryetari i  Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani ka falënderuar Ministrin Lluka dhe shtoi se kjo Qeveri ka marrë rolin vendimtar që ta kthejnë vëmendjen  nga prodhimi vendor.

Jaha Solar e hapur në qershor të vitit të kaluar është një investim fillestar gjermano-kosovar prej 5 milionë euro dhe është fabrika e parë në rajon për prodhimin e paneleve solare.