Ndihmat sociale përmes Postës së Kosovës

Prishtinë, 2.10.2017 – Marrja e ndihmave sociale nga sot do të realizohet përmes  shërbimit të Postës së Kosovës, shërbim i cili qytetarëve deri më tani u është ofruar vetëm përmes bankave komerciale.

Ky projekti i Postës së Kosovës është lansuar sot, i cili si shërbim është  arritur në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Postës.

Me këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv i Postës Sejdi Hotha tha se nga ky projekt do të përfitojnë qytetarët e Kosovës  që marrin ndihma sociale.

“Tani do ta kenë më të lehtë të marrin këtë asistencë meqenëse posta ka zyra postare në çdo qytet, përfshirë edhe vendbanime rurale”,  ka thënë kryeshefi Hoxha.

Ndërsa Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica është shprehur i kënaqur për këtë projekt të përbashkët, duke shtuar se do të shqyrtohet  mundësinë që edhe skema të tjera të kalojnë në Postën e Kosovës për të siguruar shërbime sa më afër qytetarëve.

Ndërsa, në lansimin e këtij projekti Ibrahim Rexhepi në emër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, tha se nga ky projekt përfitojnë qytetarët e Kosovës, të cilëve po u ofrohen këto shërbime më afër.

“Përgëzoj të gjitha palët që kanë arritur marrëveshjen për këtë shërbim, i cili ofrohet tek qytetarët të cilët më parë mund të kenë pasur vështirësi gjatë marrjes së asistencës sociale”, ka thënë Rexhepi.