Zogaj – Gashi: Teknologjia Informative promotor i zhvillimit ekonomik

Prishtinë, 31.10.2016 – Ministria e Zhvillimit  Ekonomik  si  përgjegjëse për krijimin e politikave kombëtare për Teknologji Informative dhe Komunikuese, së bashku me akterë tjerë që kanë të bëjnë me sektorin e TIK-ut, është duke bërë përpjekje që kjo teknologji të jetë promotor i zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik dhe proceseve shoqërore në Kosovë, kështu ka deklaruar Besa Zogaj – Gashi, zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik në hapje të Konferencës vjetore të Bankave të Kosovës me temë; “ Shërbimet Digjitale Bankare në Kosovë “, organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Ajo më tej ka pohuar se në mënyrë që shërbimet bankare të jenë univerzale dhe të shtrirë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës respektivisht Ministria e  Zhvillimit Ekonomik në partneritet me Bankën Botërore janë duke zhvilluar një Program gjithëpërfshirës për Ekonominë Digjitale të Kosovës (Kosovo Digital Economy – KODE).
“Ky program do të kontribuoj ndjeshëm edhe në shtrirjen e shërbimeve bankare sepse do të adresojë shtrirjen e infrastrukturës brez gjerë në viset rurale të Kosovës ku deri më tash ndoshta nuk ka pasur mundësi të prezencës së shërbimeve bankare, është shprehur Zogaj –Gashi.

Ndërsa, sa i përket kornizës ligjore zv.ministrja Zogaj – Gashi ka njoftuar të pranishmit se MZHE  gjatë vitit të ardhshëm planifikon që të fillohet me procedurat për avancimin e legjislacionit që ka të bëjë me shërbimet elektronike dhe që janë në interes edhe të sektorit bankar, respektivisht do të fillohet  me transpozimin e Rregullores për Identitetin Elektronik dhe Shërbimeve të Besueshme për Transaksionet Elektronike.

Ndryshe, zëvendësministrja  Zogaj – Gashi para të pranishmëve ka rikujtuar  se eksporti i shërbimeve të TI-së ka shënuar rritje të konsiderueshme në këto tre vitet e fundit.

“Jam e bindur që lehtësirat që do të krijohen nga ana e Qeverisë për kompanitë që do të ofrojnë shërbime të TI-së të orientuara kah eksporti dhe me këtë edhe avancimi i shërbimeve të ofruara nga sektori bankar, do të rrisin interesimin e ndërmarrësve të rinj që të merren me TI dhe ta konsiderojnë këtë teknologji si mjet edhe për rritje dhe zhvillim ekonomik” është shprehur Zogaj – Gashi.

Ndryshe, të pranishmit kanë shpalosur të dhënat mbi nivelin aktual të zhvillimit të Shërbimeve Digjitale Bankare në Kosovë dhe mundësitë e zhvillimit të mëtutjeshëm në këtë fushë.