MZHE me masa stimuluese për investime në BRE

Prishtinë, 27.05.2016  – Zëvendësministrja Besa Zogaj Gashi, priti një delegacion të investitorëve të huaj dhe nga diaspora kosovare, të udhëhequr nga Alex Ikonomidis, Leonidas Kontos dhe Riza Smajli, të cilët shprehën interesimin e tyre për të investuar në fushën e energjisë së ripërtërishme, ndërsa u njoftuan për ambientin e të bërit biznes në vendin tonë.

Zëvendësministrja Zogaj-Gashi tha se MZHE ka përgjegjësinë e hartimit të politikave për sektorin e energjisë, në kuadër të cilave janë edhe BRE. Këto politika janë të orientuara drejt nxitjes së prodhimit të energjisë nga këto burime, me qëllim të shfrytëzimit të potencialit të tyre në aspektin e rritjes së sigurisë së furnizimit me energji për konsumatorët, por edhe të mbrojtjes së mjedisit jetësor, duke shtuar shkallën e pjesëmarrjes së energjisë së gjelbër në konsumin final të energjisë.

Ajo tha se me qëllim të zbatimit të kësaj politike energjetike, për sektorin e BRE-së është ndërtuar infrastruktura e nevojshme ligjore (tri ligjet e energjisë), nënligjore e rregullatorë, si dhe janë ndërmarrë edhe masat stimuluese, siç janë përcaktimi i Feed-in tarifave; hartimi i rregullave për certifikatën e origjinës për energjinë elektrike të prodhuar nga burimet e ripërtëritshme, për mbështetjen e energjisë elektrike, për të cilën është lëshuar Certifikata e Origjinës dhe procedurat për pranim në skemën mbështetëse.

“Gjithashtu si nënshkruese e traktatit të komunitetit të Energjisë, në Vendimin e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë D/2012/04/MC-EnC për zbatimin e Direktivës 2009/28/EC, Kosova  ka miratuar cakun obligator të energjisë nga BRE për vitin 2020, sipas të cilit energjia nga burimet e ripërtëritshme të energjisë duhet të jetë 25% . Megjithatë, Kosova synon një cak më të lartë që korrespondon me 29.47% të bruto konsumit final të energjisë deri në vitin 2020, i përcaktuar me UA  nr.01/2013”, tha zëvendësministrja Zogaj-Gashi.

Më tej, numri dy i MZHE-së  tha se sa i përket energjisë elektrike dhe kapaciteteve të parashikuara, në vitin 2020, parashikohet të instalohen energjia nga era është parashikuar të ketë kapacitet të instaluar 150 MW. Me vendimin e ri të zyrës së Rregullatorit për Energji, është marrë vendim për kohëzgjatjen e Marrëveshjes për Blerjen e Energjisë të jetë 12 vite për energjinë e erës.

Ndryshe, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, së bashku me partnerët strategjikë USAID dhe Bankën Botërorë së bashku me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për dhënien e lejeve dhe procedurave për BRE (ZRR; MAPH; MTI Agjencinë e Pyjeve, KOSTT, KEDS, Asociacioni i Komunave është duke punuar në promovimin e konceptit për themelimin e One Stop Shop, për BRE dhe për thjeshtësimin e procedurave dhe lejeve e licencave për BRE.