Gatishmëri e shtetit grek për bashkëpunim të ngushtë ekonomik me Republikën e Kosovës

Prishtinë 13.04.2016 –  Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik  Besa Zogaj – Gashi, ka pritur në një takim Sekretarin Gjeneral për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare në  Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Yiorgos Tsipras i shoqëruar nga shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, Constantina Athanassiadou me të cilët ka diskutuar bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, i cili sipas palëve duhet të vazhdoj të forcohet.

Gjatë takimit zv.ministrja Gashi ka njoftuar Athanassiadou rreth punës që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës në fushën e reformave ekonomike dhe zhvillimit ekonomik të vendit, duke shtuar se tashmë janë duke u bërë  përgatitjet  rreth implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocimit, marrëveshje e cila do t’u hapë mundësi të shumta kompanive nga Kosova që të eksportojnë produktet dhe shërbimet e tyre në tregun evropian.

Gashi më tej ka kërkuar nga pala greke  eliminimin e barrierave e të bërit biznes në mes të dyja shteteve, i cili do të hapte mundësi zhvillimit më të madh të ekonomive të dy vendeve.

Nga ana tjetër, Sekretari Tsipras ka njoftuar për  zhvillimet ekonomike në Greqi ku  ka shprehur  gatishmërinë e shtetit grek për bashkëpunim të ngushtë ekonomik me Republikën e Kosovës,  të cilat ndikojnë pozitivisht në rritjen e përfitimeve për ekonomitë e dyja vendeve.

Ndryshe, të dyja palët janë dakorduar që të vazhdojnë me organizime  të përbashkëta përfshirë forume ekonomike nga të cilat do të përfitojnë dy vendet me projekte konkrete.