Nis zbatimi i Strategjisë së Kosovës për Teknologji Informative

Prishtinë, 29.01.2016 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik sot mbajti takimin e parë punues konsultativ për fillimin e zbatimit të Strategjisë së Kosovës për Teknologji Informative, e cila me Vendimin Nr. 14/67 të datës 30.12.2015, është miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Dokumenti strategjik “Strategjia e Kosovës për Teknologji Informative” është si rezultat i një pune të gjatë dhe angazhimi të të gjithë anëtarëve të Grupit Punues, të përbërë nga përfaqësues të institucioneve qeveritare (MZHE, MTI-KIESA, MAP-ASHI, MASHT, etj), Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikuese të Kosovës – STIKK, Sektori privat dhe përfaqësues nga akademia (UP, Universum, UBT, Riinvest,etj).

Në takim u diskutua fillimi i zbatimit të Strategjisë, diskutimi dhe krijimi i Grupit Udhëheqës (Steering Committee) për menaxhimin dhe monitorimin e procesit të zbatimit të Strategjisë, diskutimi i mënyrave të promovimit të Strategjisë, diskutimi për gjetjen dhe koordinimin e Donatorëve dhe çështje të tjera me rëndësi për procesin e zbatimit të Strategjisë.

Prezentë në takim ishin akterët më të rëndësishëm të zhvillimit të Teknologjisë Informative në Kosovë, duke përfshirë këtu institucionet qeveritare, bizneset private të TIK, Shoqata për Teknologji Informative-STIKK, ICK, donatorët, si dhe kontribuuesit për zhvillimin e strategjisë, Ambasada Norvegjeze në Kosovë dhe GIZ.