Projekti WOW prezantohet në Komunën e Gjakovës

Gjakovë, 08.12.2015 – Pilot Projekti WOW (Women in Online Work) – Gratë në Punë Online është prezantuar në Gjakovë. Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi dhe Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, kanë vlerësuar lartë këtë projekt, që për synim ka përfshirjen e grave të fushën e teknologjisë informative dhe komunikuese.

Zv.ministrja Zogaj Gashi, ka thënë me këtë rast se ky projekt do të përfshijë një numër të konsiderueshëm të grave nga zonat rurale dhe ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave në punët online të mundësuara nga teknologjia informative dhe komunikuese.

Ndërsa, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar lartë këtë hap të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e mbështetur nga Banka Botërore për të gjetur forma të reja për mundësi të punësimit të femrave nga Komuna e Gjakovës, duke shtuar se pa një fuqizim të kësaj gjinie nuk do të ketë as zhvillim ekonomik dhe punësim për këtë kategori të shoqërisë sonë.

Duke prezantuar aspekte të pilot projektit WOW- Gratë në punë online, Fjolla Restelica zyrtare në MZHE ka bërë të ditur se projekti do të përmbajë trajnime intensive për ta promovuar punët online dhe fillimisht do të përzgjedhen 50 femra nga komuna e Gjakovës dhe 50 femra nga komuna e Lipjanit.

Pilot projekti WOW (Women in Online Work – Gratë në punë online) ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave, veçanërisht ato që jetojnë jashtë zonave urbane, në punët online të mundësuara nga teknologjia informative dhe komunikuese. Programi do të zgjasë përafërsisht 6 muaj, prej muajit Janar deri në muajin Qershor 2016.