Ministri Stavileci prezanton Projektin TC “Kosova e Re”, para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri

Prishtinë, 01.12.2015 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i cili njëherësh është edhe udhëheqës i Komitetit Drejtues të Projektit (KDP) të Termocentralit “Kosova e Re”, (TCKR), sot ka prezantuar para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, (ZhEITI), Strukturën e Projektit TC “Kosova e Re”. Ky takim është mbajtur me kërkesë të Ministrit Stavileci.

Para anëtarëve të Komisionit Parlamentar ZhEITI, Ministri Stavileci ka prezantuar Strukturën e Projektit të Termocentralit TC “Kosova e re”, i cili ka përkrahjen e të gjitha institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, ku u veçua sidomos bashkëpunimi me Bankën Botërore.

Ministri Stavileci e cilësoi dhe njëherë këtë projekt si projekti më madhor i Republikës së Kosovës, i cili është njëherësh dhe investimi më i madh direkt i huaj, që do të krijojë mijëra vende të reja të punës gjatë fazës së ndërtimit, do t’i përmbushë të gjitha direktivat mjedisore dhe sociale të BE-së, do ta sigurojë furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike me një teknologji super kritike dhe me efiçiencë 40%. Ministri potencoi se ky projekt ka përmbushur kriteret kryesore që ka pasur Qeveria e Kosovës, të cilat ishin siguria e furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëria e çmimeve.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Parlamentar ZhEITI, Muhamet Mustafa, dhe deputetët e tjerë, anëtarë të Komisionit,  e falënderuan Ministrin për këtë prezantim, për një bashkëpunim të vazhdueshëm me Kuvendin e Kosovës, si dhe e përgëzuan Ministrin për punën e bërë me këtë projekt.

Ministri Stavileci iu është përgjigjur të gjitha pyetjeve që kanë shtruar deputetët, dhe në fund, nga ana e Komisionit Parlamentar kanë dalë dy konkluzione për të ardhmen rreth këtij Projekti:
1. Që të negociohet me Bankën Botërore për nivelin e interesit të kredisë që ky institucion do t’i japë investitorit; si dhe
2. U kërkua që të angazhohet një institucion relevant për ta bërë një analizë të detajuar se si të vazhdojmë tutje me fatin e Termocentralit ‘Kosova A’.