SHGJK monitoron daljen e gazit natyror në fshatin Torinë

Prishtinë, 13.11.2015 – “Shërbimi Gjeologjik i Kosovës para një viti ka qenë në dijeni dhe ka monitoruar daljen e gazit natyror dhe me qëllim të marrjes së informacioneve dhe studimit profesional në këtë zonë  në  bashkëpunim me zyrtarët e KPMM-së ka dalë në vendin e ngjarjes për ta identifikuar fenomenin e daljes së ujit me presion”, kështu ka thënë Fidaim Sahiti Kryeshef Ekzekutiv i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës  (SHGJK) gjatë punëtorisë dy ditore  me temë; “Paraqitja dhe Perspektiva e Hulumtimeve të Gazit Natyror në Lokalitetin Torinë Komuna e Lipjanit”.

Me këtë rast  SHGJK  dhe instituti INKOS  kanë paraqitur monitorimin dhe analizën profesionale të fenomenit të paraqitjes së gazit natyrorë  në fshatin Torinë . Ndërsa  është bërë e ditur se rasti i parë i paraqitjes së gazit natyrorë  në fshatin Torinë është paraqitur në vitin 2014. Qëllimi parësor i  hapjes së këtij pusi nga banori lokal ishte gjetja dhe kërkimin e ujërave nëntokësor me qellim të shfrytëzimin të këtij uji për amvisëri.

Sahiti me këtë rast ka pohuar se gjatë monitorimit të rrjedhjes së gazit në rastin e parë  të hapjes së pusit pas kalimit të kohës presioni i ujit ka rënë në masë shumë të ulët dhe niveli statik të ujërave nëntokësor në këtë pus tani rezulton 2.37 m nga niveli i tokës duke shtuar se dalja e gazit nga ky shpim ende vazhdon me një kapacitet dhe presion shumë të ulët  nga periudha e vitit të kaluar.

Sipas tij, rasti i dytë i paraqitjes së gazit natyror në fshatin Torinë, Komuna e Lipjanit daton më  28.10.2015 me thellësi të pusit 82 m, diametri i realizimit të shpimit 166 mm, i cili pas përfundimit të hapjes së pusit ka rezultuar me daljen e ujit natyror me presion shumë të lartë. Dalja e ujit me presion shumë të lartë si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë ka rezultuar si pasojë e lirimi të gazit natyror, i cili në këtë zonë ka qenë në presion shumë të madh litologjik.

Po ashtu, Sahiti ka njoftuar se gjatë monitorimit të rrjedhjes së gazit nga SHGJK, pas kalimit të kohës, presioni i rrjedhjes së gazit ka rënë në masë shumë të ulët dhe tani niveli statik i ujërave nëntokësore paraqitet në thellësi 17.55 m, nga niveli i tokës.

SHGJK gjithashtu ka monitoruar rrjedhjen e gazit kohë pas kohe nga rasti i fundit i shpimit, i cili rezulton me ndërprerje të rrjedhjes së gazit,  përveç paraqitjes së herë pas hershme me një kapacitet shumë të ulët.

Në takim është  potencuar se në hulumtimet gjeologjike në të kaluarën të bëra nga Instituti INKOS me qëllim të hulumtimit të qymyreve në basenin qymyrmbajtës të Kosovës në këtë zonë, gjatë ekzekutimit të shpimeve janë paraqitur rrjedhjet e gazit, të cilat kanë qenë  me sasi shumë të vogla të cilat nuk kanë dhënë premisa potenciale për hulumtimin dhe shfrytëzimin e tyre për çështje ekonomike.

Me këtë rast, pas prezantimeve është konstatuar se origjina e gazit natyror të paraqitur në fshatin Torinë është produkt i prezencës së qymyroreve në këto hapësira dhe vendi i paraqitjes së gazrave i  përket zonës periferike në pjesën jugë-perëndimore të pellgut qymyrmbajtës të Kosovës.

Njohës të kësaj fushe pjesëmarrës në takim kanë thënë se në fshatin Torinë është paraqitur gazi natyror në dy puse me përmbajte të lartë të metanit, të cilat në një formë hapin perspektivën për hulumtimet më të detajuara në këtë fushë. Gjithashtu është thënë se nuk mund të priten rezerva të mëdha potenciale të gazrit natyror duke u bazuar në kushte dhe ndërtimin gjeologjik në të cilën ndodhet baseni qymyrmbajtës i Kosovës.