Stavileci: Kosova ka potencial për tu bërë qendër e eksportit të shërbimeve të TIK

Prishtinë, 03.11.2015 – Kosova është duke punuar një strategji kombëtare që do ta bëjë TIK dhe Inovacionin një nga prioritetet kryesore për zhvillim ekonomik, duke u bazuar në faktin se vendi ka popullsinë më të re në Evropë dhe shfrytëzimin e internetit në 83% të ekonomive familjare, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente Stavileci i bëri në ditën e parë të “Web Summit 2015”, që po mbahet në Dublin të Irlandës, i cili cilësohet si më i madhi në planet për fushën e teknologjisë, ku për herë të parë nga Ballkani po merr pjesë edhe një përfaqësues i Qeverisë së Kosovës si panelist, ndërsa diskutohen zhvillimet e fundit në sektorin e teknologjisë dhe impakti i tyre në ekonominë globale.

Duke folur para audiencës në kuadër të panelit “Teknologjia, ekonomia, dhe problemet parësore botërore”, Stavileci tha se Strategjia për TIK dhe Inovacion ka për qëllim të nxit përparësitë konkurruese dhe krijimin e mundësive për ta bërë Kosovën një qendër të eksportit të shërbimeve të TIK, dhe baza e kësaj strategjie ka nxitur edhe donatorët më të mëdhenj të Kosovës ndër ta edhe Banka Botërore, që të mbështesin përpjekjet tona për  të arritur këtë qëllim.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndërmarrë tashmë hapa konkretë për të siguruar që ky avantazh konkurrues të shfrytëzohet në mënyrë që të kemi një rritje të qëndrueshme, dhe për këtë së shpejti MZHE do të lansojë fondin e saj të parë për TIK, i destinuar për mbështetjen e të rinjve dhe rritjen e kompanive të TIK”, ka thënë ai, duke shtuar se ky fond mendohet të bëhet sipas modelit të bashkëpunimit publik-privat.

Kreu i MZHE-së ka bërë të ditur se Kosova gjatë 15 viteve të fundit ka krijuar lidhje të forta me komunitetin ndërkombëtar, gjë që u ka krijuar qytetarëve të saj  mundësitë për të rritur aftësitë dhe përvojën për tu orientuar kah eksporti i shërbimeve të TIK.

Ministri Stavileci ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në këtë panel që të ftojë të gjithë akterët e TIK të pranishëm në këtë samit që të vizitojnë Kosovën dhe të njihen për së afërmi me mundësitë që ofron, duke i siguruar ata për mbështetjen institucionale dhe ofrimin e shërbimeve cilësore me çmime shumë të ulëta.

Në margjinat e “Web Summit”, Stavileci ka zhvilluar takime me përfaqësues të kompanive të ndryshme të fushës së teknologjisë informative dhe inovacionit, me të cilët ka biseduar për mundësitë e investimeve në Kosovë.

Ndryshe, “Web Samiti” është më i madhi i këtij lloji në nivel botëror ku marrin pjesë rreth 30 mijë pjesëmarrës nga 100 vende, 700 folës dhe 150 gazetarë nga mbarë bota.

Pjesë e këtij samiti janë kompanitë më të mëdha të fushës së teknologjisë, si Google, Microsoft, Apple, IBM, Facebook, Twitter, Intel, Cisco, Samsung dhe brende të njohura prodhuese dhe shtëpi mediale të nivelit botëror.