Diversifikimi i burimeve të energjisë prioritet i MZHE-së

Prishtinë, 21.10.2015 – Për ne po aq sa është i rëndësishëm furnizimi me energji i qytetarëve e Kosovës, po aq i rëndësishëm është diversifikimi i burimeve, sidomos në ditët e sotme kur në regjion, në Evropë dhe në mbarë botën diskutohet për ndryshimet klimatike, ka deklaruar Ministri Blerand Stavileci.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri me rastin e përurimit të centralit të parë me panele solare në Gjurgjevik të Madh të Komunës të Klinës, investim i kompanisë sllovene, ‘Rudis’, ku të pranishëm përveç drejtuesve të kësaj kompanie ishin edhe përfaqësues të ZRRE-së  KEDS/KESCO etj.

Kreu i MZHE-së tha se Qeveria e Kosovës dhe Ministria që drejton viteve të fundit është orientuar në burime të tjera të energjisë përveç atyre konvencionale siç është thëngjilli dhe në fokus ka vënë dy nën sektorë të energjisë, burimet e ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë.

Stavileci tha se Kosova i ka përcaktuar caqet indikative që lidhen me burimet e ripërtëritshme me të cilat parashihet që deri në vitin 2020, 25 % e energjisë së përgjithshme të gjenerohet nga këto burime, ndërsa caku tjetër lidhet me EE, që parasheh që deri në vitin 2018 duhet të arrihet në 9 %.

Ai tha se ky është parku i parë solar në vendin tonë, që do të shërbejë si model për investitorët e tjerë, ndërsa MZHE do të mbështes iniciativat e tilla dhe në këtë linjë ka nisur punën për lehtësimi e procedurave.

Dejan Bash – Drejtor i Projektit nga Kompania Rudis ka bërë të ditur se pas marrjes së lejeve të nevojshme montimi i këtij centrali ka mbaruar në Mars të vitit 2015. “Kapacitetet e instaluara janë 102 kV dhe operimi është mjaft i mirë. Presim më shumë gjenerim por kjo varet nga kushtet e motit dhe kyçja e këtij centrali në rrjet bëhet automatikisht kur aplikohen reduktimet, me një kapacitet prej 3 orë në ditë”, tha ai.

Bash tha se planifikojnë që në fazën e dytë të këtij projekti të zgjerojnë këto kapacitete me 260 kV për çka tashmë kanë marrë autorizimin preliminar nga ZRRE.

Ndërsa, Drejtori Gjeneral i KEDS – George Karagutoff  tha se kjo është hera e parë e instalimit të paneleve solare në Kosovë që përbën një investim të huaj në këtë fushë, ndërsa shtoi se kjo kontribuon në zhvillimin e resurseve lokale dhe stimulimin e investitorëve të tjerë në sektorin e energjisë.

Nga ana e tij, Enver Halimi, Kryesues i Bordit të ZRRE-së ka vlerësuar investimin slloven në BRE duke shtuar se akterët institucional kanë bashkëpunuar ngushtë në mundësimin e këtij investimi.