Expoforumi: Kosova e Shqipëria diskutojnë projektet e përbashkëta strategjike

Prishtinë, 29.06.2015 -Expoforumi “Mënyrat e reja te financimit te projekteve strategjike Kosovë – Shqipëri”, ka  mbledhur sot në Prishtinë, përfaqësues institucional të Kosovës dhe Shqipërisë, kompani nga vendi e diaspora si dhe donatorë, për të diskutuar objektivat strategjike të dy vendeve dhe mënyrat e financimin të projekteve të përbashkëta.

Expoforumi zhvilloi punimet në Hotel Emerald në Prishtinë, ndërsa është një bashkëorganizim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Kosovës si dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Konfindutrisë. Ndërkaq, mbështetet nga Ambasada e Finlandës në Prishtinë dhe DEED (Përfshirja e Diasporës në Zhvillim Ekonomik).

Në hapje të Expoforumit, të pranishmit kanë pasur rastin të vizitojnë minipanairin e prodhuesve vendor dhe nga diaspora si dhe shërbimet e kompanive publike, si një mundësi e mirë e promovimit të aktivitetit të tyre ekonomik dhe krijimin e kontakteve.

Ministrat e linjës nga Kosova dhe Shqipëria fillimisht kanë diskutuar mbi zhvillimet aktuale ekonomike, projektet e përbashkëta dhe mundësitë e financimeve, duke përfshirë donatorët dhe kapitalin privat.

Më pas, përfaqësues të institucioneve nga të dy vendet kanë prezantuar  projektet  strategjike në sektorët e burimeve natyrore Kosovë-Shqipëri, me fokus, energjinë, minierat dhe transportin.

Forumi në fund të punimeve do të dalë me konkluzione lidhur me mundësitë që ofron ky sektor, hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për stimulimin e tij dhe rolin e sektorit privat, me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.