Kosova vend potencial për hulumtime gjeologjike dhe përpunim të mineraleve
Prishtinë, 29.05.2015 – Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj- Gashi, ka pritur në një takim të përbashkët, Sekretarin Gjeneral të Shërbimit Gjeologjik Evropian, Luca Demicheli që shoqërohej nga menaxherja Celine Andrien, Drejtorin e Shërbimit Gjeologjik të Kroacisë- Josip Halamiq, Drejtorin e Shërbimit Gjeologjik të Shqipërisë – Viktor Doda si dhe Drejtorin e Departamentit Gjeologjik Detar pranë Shërbimit Gjeologjik të Shqipërisë – Arben Panbuku.
Më këtë rast zv.ministrja Gashi, ka pohuar se anëtarësimi i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës në Institucionet ndërkombëtare siç është Shërbimi Gjeologjik Evropian ka hapur rrugë në perspektivën Evropiane në zhvillimin e projekteve, të cilat kanë ndikim regjional që ndërlidhen me interes të Kosovës.
Gashi ka falënderuar të pranishmit për përkrahjen që kanë dhënë që Shërbimi Gjeologjik i Kosovës të anëtarësohet në atë Evropian, duke shtuar se territori i Republikës së Kosovës karakterizohet me një ndërtim kompleks gjeologjik, ndërsa pasuritë minerale kanë bërë që Kosova të jetë një vend potencial për përpunimin e mineraleve dhe zhvillimin e shkencës së Gjeologjisë.
“Kosova është e pasur me shumë lloje të mineraleve, vendburimeve të rëndësishme të mineraleve energjetike metalore dhe jometalore. Kosova në tërë territorin e saj disponon me rezerva të rëndësishme të linjitit, të cilat arrijnë në 14 miliardë tonelata”, ka thënë zv.ministrja Gashi.
Ajo ka shtuar se Shërbimi Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe themelimi i tij si Institucion, ka ndikuar në fuqizimin e Kornizës Institucionale në përmirësimin e kërkimeve dhe hulumtimeve, duke mundësuar të kemi të dhëna të sakta rreth mineraleve në Kosovë.
Nga ana e tij, Luca Demicheli tha se është i mirëseardhur bashkëpunimi në ngritjen e kapaciteteve si dhe në hulumtime të përbashkëta, shkëmbim të laboratoreve të përbashkëta për Shërbim Gjeologjik me theks të veçantë në pjesëmarrjen në hulumtimet gjeologjike për identifikimin e 20 mineraleve kritike, të cilat ndikojnë në zhvillimin e teknologjisë.
“Nëse Kosova dëshmon se posedon pasuri të këtyre mineraleve do të konsiderohej si një vend strategjik për zhvillimin e kësaj industrie të Teknologjisë në Evropë”, ka thënë Demicheli.
Ndryshe, delegacioni në fjalë i shoqëruar nga Zv.ministrja Gashi ka vizituar Muzeun Shtetëror të Kristaleve dhe Mineraleve “Trepca” në Mitrovicë.