USAID mbështet projektet energjetike në Kosovë

Prishtinë, 29.04.2015 – Zbatimi i projekteve të energjisë së pastër në Kosovë është një nga synimet që ka MZHE me qëllim të krijimit të një mjedisi të përshtatshëm, i cili do të tërheq investimet private në këtë sektor, ka deklaruar Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi në takim me përfaqësues të USAID-it.

Gjatë takimit u diskutua për projektet në fushën energjisë, me theks të veçantë për tejkalimin e pengesave dhe stimulimin e realizimit të projekteve të energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme.

Me këtë rast Zv.ministrja Zogaj Gashi ka falënderuar  përfaqësuesit e USAID-it  për ofrimin e asistencës teknike, ndërsa shtroi nevojën që në kuadër të projektit REpower Kosovo të krijohet edhe “One Stop Shop Center”, që do të mundësonte reduktimin procedurave, kohës dhe kostos për aplikimet për investime në BRE, duke krijuar një klimë të favorshme  dhe duke rritur nivelin e konkurrencës.

Në takim të pranishëm ishin Edmon Shyti, përfaqësuesit e projektit të USAID REpower Kosovo (Ripërtritja Energjetike e Kosovës), Faruk Serdanovic, udhëheqës kryesor i projektit,  Kena Vasques, menaxhere e lartë, Luis Gunzman Zyrtar i Shërbimit të Huaj dhe  Ardian Berisha specialist për BRE.