Stavileci prezanton vizionin e zhvillimit ekonomik para biznesit të diasporës

Prishtinë, 25.04.2015 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci po merr pjesë në konferencën e Unionit të Bizneseve të Diasporës në Gjermani, që po mbahet në Koln ku po marrin pjesë edhe Ministri i Diasporës, Valon Murati, Zv.Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë edhe Sipërmarrjes e Shqipërisë, Brulinda Paskali, kryetari i Kolnit, Ralf Heinen dhe përfaqësues të bizneseve shqiptare nga Kosova dhe diaspora.

Ministri Stavileci vlerësoi rëndësinë e kësaj konference, ku pjesëmarrësit nga institucionet dhe bizneset në diasporë mund të këmbejnë idetë dhe propozimet konkrete për zhvillimin e biznesit dhe investimeve në Kosovës.

Kreu i MZHE-së, duke prezantuar vizionin e Qeverisë për zhvillimin ekonomik dhe investimet, theksoi se prioritet i ekzekutivit mbetet bashkëpunimi me sektorin privat, ndërsa përmendi reformat strukturale që janë duke ndërmarrë në funksion të forcimit të sektorit privat.

Sipas tij, disa nga këto nisma janë Ligji për investime strategjike dhe Fondi inovativ, me çka synohet përmirësimi i klimës për investimeve në Kosovë, duke theksuar se diaspora jonë përbën një potencial të rëndësishëm për zhvillim.

Me këtë rast janë prezantuar tri projekte konkrete, ndër të cilat më i madhi vlerësohet të jetë ai i punësimit të 10 mijë kosovarëve në firmat kosovaro-gjermane.

Ndërkaq, ministri i Diasporës Valon Murati tha se rrjetëzimi i bizneseve shqiptare të diasporës është një prej projekteve më të rëndësishme të realizuara nga kjo Ministri dhe përbën një nga partnerët më të rëndësishëm të Qeverisë së vendit.

Ndryshe, pjesëmarrësit në konferencë kanë shfrytëzuar rastin të diskutojnë mundësitë e investimeve në Kosovës dhe përmirësimin e klimës për investime.