Ekonomia e Kosovës duhet të bazohet në dije

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci së bashku me Ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami dhe Ministrin e Financave, Avdullah Hoti, në 100 ditëshin e punës së Qeverisë, kanë prezantuar para studentëve të Kolegjit Riinvest, orientimet programore të Qeverisë së Kosovës për fushat që mbulojnë ministritë që drejtojnë.

Ministri Stavileci me këtë rast ka nënvizuar infrastrukturën dhe energjinë si dy sektorë nga të cilët  afektohet direkt ekonomia  e çdo vendi, por edhe Kosovës, duke shtuar se ato janë parakushte për zhvillim ekonomik, e në këtë linjë hyn edhe ndërlidhja e ekonomisë me sistemin edukativ.

Ai tha se nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik dhe interesim të investitorëve pa infrastrukturë fizike të zhvilluar dhe furnizim të qëndrueshëm me energji.

Sa i përket infrastruktura transportuese, Stavileci tha ka një tentativë që Evropa Juglindore të përfshihet në rrjetin regjional transportues ajror, rrugor dhe hekurudhor, ku Kosova përfshihet me 4 projekte, dy prej të cilave kanë përfunduar. Në këtë kuadër hyn Rruga e Kombit,  autostrada Prishtinë Shkup, Aeroporti i Prishtinës ( i koncensionuar) dhe hekurudha që lidh Maqedoninë- Kosovën dhe Serbinë.

Sipas tij, me një rrejt të tillë, vendi ynë do të jetë i integruar në aspektin i infrastrukturës me EJL dhe më gjerë, dhe kjo ndikon direkt në koston e mallrave dhe shërbimeve.

Duke u ndalë te sektori kyç energjia, Kreu i MZHE-së tha se Qeveria e ka vënë prioritet kryesor ndërtimin e një TC me kapacitet 600 MW, i cili me kapacitetet tjera ekzistuese do të mbulojë nevojat për konsum me energjie elektrike, ngase  pa furnizim stabil nuk mund të flitet për interesim të investitorëve.

“Për ndërtimin e TC Kosova e Re nuk ka alternativë dhe krahas tij, i cili bazohet në linjit do ta komplementarizojmë me EE dhe BRE. Shumë shpejt do të kemi një fond për këtë, që do të ketë për qëllim kursimin e energjisë (fatura të përballueshme), reduktimin e emetimeve  dhe efektin e  punësimit”, tha Stavileci, duke njoftuar se deri tani për rreth 350 MW janë dhënë autorizime preliminare për investime në BRE.

Kreu i MZHE-së më tutje vlerësoi se Teknologjia Informative dhe Komunikimeve Elektronike është një nga sektorët unikal që ndërlidhet me fusha tjera dhe që ndikon direkt në zhvillimin ekonomik. Sipas tij, TI në secilën fushë mund të shërbejë si promotor i zhvillimit, duke përmendur rastin e Estonisë me 1.8 milion banorë që ka pasur një hov në zhvillim në këtë fushë.

Një çështje e rëndësishme, që ka vënë në dukje Stavileci janë edhe burimet njerëzore. Ai tha se ekonomia jonë duhet të jetë e bazuar në dije.“Ne duhet t’i dimë resurset tona natyrore dhe njerëzore. Nuk duhet të vazhdohet me këtë trend të ‘prodhimit serik’ të kuadrove të diplomuar që nuk janë të orientuar nga kërkesa e tregut të punës. Ne duhet të dimë se cilët janë sektorët që më së shumti mund të prodhojnë zhvillim ekonomik dhe resurset njerëzore duhet të orientohen në ato fusha ku resurset njerëzore mund të aftësohen më shpejtë për tregun e punës”, tha ai.

Krejt në fund i pari i MZHE-së foli për instrumentet stimuluese të Qeverisë për sektorë të caktuar. Ai tha se në kuadër të fondit për punësim dhe zhvillim do të favorizohen disa sektorë kreativ, ku kriteri i parë do të jetë komponenti i edukimit  bashkëkohor, konform kërkesave të tregut dhe e dyta mbështetja direkte e bizneseve që përmbushim kriterin e punësimit dhe inovacionit.

Nga ana e saj, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajram tha se Qeveria është fokusuar në rikthimin e besimit tek investitorët dhe në këtë rrafsh ka marrë disa hapa siç janë largimi i barrierave dhe lehtësimi i proceduarave duke ditur se burokracia vlerësohet njëra nga pengesat e zhvillimit ekonomik.

Ndërkaq, Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se është trashëguar një situatë jo e mirë ekonomike, andaj janë fokusuar në reforma fiskale, të cilat prekin jetën e qytetarëve siç është përshkallëzimi i TVSH-së, etj.