Stavileci: Qeveria i ka definuar prioritetet në fushën e energjisë

Prishtinë, 01.04.2015 – Energjia është një sektor i rëndësishëm dhe parakusht i zhvillimit ekonomik, andaj Qeveria është duke bërë përpjekje që t’i harmonizojë veprimet e saj për të siguruar energji të mjaftueshme nëpërmjet kapaciteteve të reja gjeneruese dhe duke kombinuar ato me burime alternative edhe konceptin e efiçiencës së energjisë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente Ministri Stavileci i bëri sot në takimin me komunitetin e biznesit austriak në Kosovë, që u organizua nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Austrisë, ndërsa merrnin pjesë kompani austriake që merren me fushën e energjisë, respektivisht efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme të energjisë.

Kreu i MZHE-së theksoi se ditë më parë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian kanë diskutuar për sektorin e energjisë dhe pothuaj se i kanë definuar të gjitha prioritete për periudhën e ardhshme  dhe ato janë në linjë me politikat strategjike të cilat i ka hartuar Qeveria.

Ministri tha se së shpejti do të jetë gati një strategji e re për dhjetë vitet e ardhshme 2015-2024 ku do të përcaktohen të gjitha masat, aktivitetet dhe përparësitë në lëmine e energjisë, energjisë së ripërtritshme dhe efiçiences se energjisë.

Ministri Stavileci theksoi se aktualisht për efiçiencën e energjisë janë siguruar 31 milionë dollarë kredi për objektet publike te nivelit qendror, ndërsa shtoi se edhe Kosova do ta respektoje përcaktimin e caqeve20-20-20 dhe se pret që deri në 25% të energjisë do të jetë nga burimet e ripërtritshme.

Nga ana e tij, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se OEK konsideron se energjia është ndër prioritet e zhvillimit të mëtejmë ekonomik te vendit.

“Ne në Oden Ekonomike të Kosovës konsiderojmë se është e pamundur te kemi një integrim politik pa integrim ekonomik dhe në këtë drejtim energjia do të jetë një ndër prioritet e së ardhmes. Kosova i ka disa prioritete që fillojnë me shkronjën E – Evropa, ekonomia, edukimi dhe ambientalizmi. Që të arrihen këto synimet duhet ta kemi të përforcuar një partneritet intern dhe ekstrn”, tha kryetari i OEK-ut.

Ndërkaq, Gerhard Schlattl, atashe tregtar ne Ambasadën e Austrisë ne Kosovë dhe përfaqësues i Odës Ekonomike Federale të Austrisë, praninë e Kompanive nga Austria në këtë takim dhe theksoi se këmbimi i eksperiencave në mes të kompanive nga Austria e Kosova do te jetë një kontribut i rëndësishëm për realizimin e obligimeve që i ka Kosova sa i përket sektorit të energjisë dhe efiçiencës së energjisë.

Ndryshe, takimi me përfaqësuesit e kompanive nga Austria u zhvillua në kuadër të një misioni fakt mbledhës që po analizon gjendjen e efeçiencës së energjisë në Kosovë.