Kosova dhe Kroacia formalizojnë bashkëpunimin në shkencat gjeologjike
Memorandumi u nënshkrua nga Kryeshefi i Agjencisë Gjeologjike të Kosovës Fidaim Sahiti dhe Drejtori i Institutit Gjeologjik të Kroacisë Josip Halamić, ndërsa ndër të tjera parasheh bashkëpunimin në hulumtime gjeologjike; korrelacionin e litostratigrafisë në dy vendet; hulumtimet e hollësishme dhe vlerësim gjeologo-ekonomik të vendburimeve metalore, jo-metalore dhe energjetike; përpunimin digjital i të dhënave gjeologjike nga hulumtimet etj.
Ministri Ismajli tha me këtë rast se botërisht është e njohur se Kosova është vend atraktiv me pasuri mjaft të mëdha natyrore minerale dhe se sektori minerar është jo vetëm një pasuri dhe treg i veçantë në vetvete, por edhe burim për zhvillimin e jetës ekonomike dhe sociale në vend.
Ai tha se nënshkrimi këtij Memorandumi të bashkëpunimit krijon kushte për shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen njohurive në fushën e gjeo-shkencave aplikative.
Ismalji shprehu vullnetin e Qeverisë për zhvillimin e bashkëpunimit me të gjithë partnerët që kanë synime dhe objektiva për investime në sektorin e hulumtimeve minerale.
Ndërkaq, Ambasadori kroat në Kosovë, Zoran Vodopija tha se me marrëveshjen AGJK-IGK, Kroacia i jep Kosovës atë që është më e rëndësishmja, siç është dija, duke ditur se Kosova është e pasur me minerale.
Ai tha se me këtë do t’i mundësohet Kosovës një kualitet më i lartë i njohurive që të merret me çështjet si Trepça, por edhe me projektet tjera, ndërsa njoftoi se Kroacia ka ndarë disa bursa për fushat që i nevojiten më së shumti vendit.

